Botë

Çka do të thotë Suedia për NATO-n dhe çka do të thotë NATO për Suedinë?

Hyrja e Suedisë në aleancën ushtarake, NATO, pritet të zyrtarizohet gjatë së enjtes. Do të bëhet anëtarja e 32-të. Por çfarë pret aleanca ushtarake perëndimore nga ai anëtarësim? Po Suedia?

Suedia, ashtu si Finlanda, nën ndikimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, aplikuan për anëtarësim në NATO vitin e kaluar. Dhe ndërkohë që Finlanda u bë anëtare e aleancës në prill të vitit 2023, Turqia dhe Hungaria përdori të drejtën e vetos për gati një vit për të bllokuar Suedinë për t'iu bashkuar Traktatit të Atlantikut të Veriut. Por si Turqia, ashtu edhe Hungaria, u pajtua ta heqin veton.

Çfarë presin NATO-ja dhe Suedia nga anëtarësimi i këtij vendi në aleancën ushtarake perëndimore?

Çfarë sjell hyrja e Suedisë gjeografikisht?

Kur Suedia të bëhet anëtare, i gjithë bregdeti i Detit Baltik do të ishte pjesë e territorit të NATO-s, me përjashtim të bregdetit të Rusisë dhe enklavës së saj të Kaliningradit. Në rast të një sulmi rus, për shembull, shtetet baltike do të ishin në gjendje të mbroheshin më lehtë. Njësitë dhe pajisjet mund të transferohen në Estoni, Letoni dhe Lituani shumë më lehtë nëpërmjet Suedisë. Ishulli suedez i Gotlandit luan rol veçanërisht të rëndësishëm këtu.

“Me Gotland, një ishull i madh në mes të Detit Baltik, Suedia i ofron Aleancës një bazë strategjike jashtëzakonisht të favorshme. Nga atje mund të kontrolloni praktikisht të gjithë Baltikun”, ka shpjeguar profesori Simon Koshut, i cili udhëheq politikën ndërkombëtare të sigurisë në Universitetin Zeppelin në Friedrichshafen.

Kosut thekson se pozita gjeografike e Suedisë është arsyeja kryesore pse anëtarësimi në NATO është kaq tërheqës për atë vend.

Po ushtria suedeze?

Forcat e armatosura suedeze dhe pajisjet e tyre ushtarake do të ishin gjithashtu një pasuri e vlefshme për NATO-n. Është një vend i vogël dhe, duke folur numerikisht, nuk ka ushtri të madhe (sipas Indeksit Global të Fuqisë së Zjarrit, ushtria suedeze ka rreth 38 mijë ushtarë), por “suedezët kanë një ushtri shumë moderne, veçanërisht forcat ajrore, që janë moderne dhe me avionë që i prodhojnë vetë”, thotë profesori Kosut. Suedia është gjithashtu fuqi detare me nëndetëset e veta dhe tashmë është forcuar edhe në terren. Ata morën pjesë në misione të ndryshme të NATO-s, për shembull në Afganistan.

Suedia shpenzon rreth 1.3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, që është dukshëm më shumë se disa vite më parë. Pritet që kjo përqindje të vazhdojë të rritet edhe në vitet në vijim. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Suedia, si shumë vende perëndimore, uli ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes. Rishikimi filloi pas luftës së Gjeorgjisë në vitin 2008, dhe më së voni pas aneksimit të Krimesë më 2014. Kjo u intensifikua më tej nga agresioni rus në Ukrainë.

Cilat janë përfitimet kryesore që do të merrte Suedia nga NATO?

Suedia dhe NATO tashmë bashkëpunojnë ngushtë në shumë mënyra. Ndryshimi vendimtar për Suedinë, pas anëtarësimit në NATO, i referohet nenit 5 të marrëveshjes së përbashkët, sipas të cilit sulmi i armatosur ndaj një vendi të NATO-s konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Në këtë rast, aleanca ushtarake është e detyruar të japë ndihmë.

“Sigurisht, kjo mbrojtje është vendimtare për Suedinë”, thotë politologu Kosut.