Dy vjet më parë, bota i pa tanket ruse teksa lëviznin në periferi të Kievit dhe raketat që fluturuan duke goditur kryeqytetin e Ukrainës. Ndryshe nga parashikimet fillestare, Kievi nuk ra kurrë, por vendi mbetet i përfshirë në luftë. Vija e frontit qëndron në rajonin juglindor të shtetit. Zonat e kontestuara janë të fokusuara kryesisht në Donbas dhe qytetet me porte përreth Detit të Zi.
Më poshtë historiku i Ukrainës që nga shpallja e pavarësisë së saj
1 dhjetor, 1991: Ukraina shpall pavarësinë
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Ukraina votoi për pavarësi, me mbështetje të fuqishme nga popullata.
5 dhjetor, 1994: Memorandumi i Budapestit
Memorandumi i Budapestit mbi Garancinë e Sigurisë u nënshkrua më 1994, pas marrëveshjes së Ukrainës për transferimin e armëve nukleare në Federatën Ruse. Dokumenti i nënshkruar nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia, njeh sovranitetin e Ukrainës dhe të drejtat e saj mbi territor.
Nëntor – dhjetor 2004: Revolucioni Portokalli
Zgjedhjet presidenciale mes Viktor Yushchenkos dhe Viktor Yanukovychit, i mbështetur nga Rusia, krijuan polemikë. Yushchenko u helmua para zgjedhjeve dhe fitoja iu dha Yanukovychit, çka u pa si mashtrim. Ukrainasit dolën në protestë të veshur me të portokalltë që qe ngjyra e fushatës së Yushchenkosit. Rivotimet në dhjetor, rezultuan me fitoren e Yushchenkos.
3 prill, 2008: Rusia kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në NATO
Në prill të 2008-s, Samiti i NATO-s filloi debatin rreth Planit të Veprimit të anëtarësimit (MAP) të Ukrainës. Presidenti rus Vladimir Putin kundërshtoi anëtarësimin, duke i thënë ish-presidentit amerikan, George W. Bush se “Ukraina nuk është shtet i vërtetë”. NATO-ja nuk ia ofroi Ukrainës udhërrëfyesin.
Nëntor 2013 – Shkurt 2014: Ndryshimet e papritura në qeveri
Pas premtimeve për të punuar drejt marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, ish-presidenti Yanukovych që fitoi zgjedhjet në 2010-n, ndryshoi drejtimin politik drejt Rusisë, çka shkaktoi protesta kundër korrupsionit qeveritar në të gjithë vendin, të fokusuara në Sheshin “Maidan” në Kiev. Protesta la të vdekur 150 njerëz. Yanukovychi iku në Rusi. Udhëheqësia e re u zotua për orientim evropian.
Shkurt 2014 – Mars 2014: Rusia anekson Krimenë
Trupat ruse aneksuan pikat kryesore të gadishullit të Krimesë. Kjo shkaktoi zemërim kombëtar dhe dënim nga OKB-ja dhe BE-ja.
Prill 21, 2019: Zelenskyy zgjidhet president i Ukrainës
Volodymyr Zelenskyy, ish-komedian, mundi kandidatin Petro Poroshenko për t’u bërë president. Partia e Zelenskyyt gjithashtu fitoi shumicën e ulëseve në parlament. Kampanja e tij premtoi ndalimin e luftës me separatistët e përkrahur nga Rusia dhe largimin e korrupsionit nga qeveria ukrainase.
Dhjetor 2021: Putini kërkon garanci
Në fillim të 2021-s, Zelenskyy mori masa ndaj oligarkëve pro-rusë, duke përfshirë edhe Viktor Medvedchukun, mik i ngushtë i Putinit. Si rezultat, Putini dërgon numër të madh trupash në kufi afër Ukrainës në dhjetor dhe shtroi kërkesa ndaj NATO-s dhe SHBA-së. Një nga kërkesat ishte që Ukraina të mos anëtarësohej në NATO. Ajo u refuzua nga administrata e Bidenit.
21 shkurt, 2022: Rusia i njeh si shtete Luhanskun e Donetskun
Në vitin 2014, rajonet Dontesk dhe Luhansk u distancuan nga Ukraina. Ato udhëhiqeshin nga ata që konsideroheshin terroristë të mbështetur nga Rusia. Putini i njohu si shtete të pavarura dhe dërgoi trupa “për të ruajtur paqen”.
24 shkurt, 2022: Rusia nis pushtimin e plotë të Ukrainës
Pushtimi rus filloi në territorin lindor të Ukrainës, Donbas. Zelenskyy futi në fuqi ligjin ushtarak dhe prishi zyrtarisht raportet diplomatike me Rusinë. Veprat e Putinit u dënuan në mbarë botën dhe brenda Rusisë.
11 shtator, 2022: Ukraina rifiton territore
Disa muaj pas hyrjes së Rusisë, forcat ukrainase e shtynë mbrapa duke rimarrë rreth 2500 kilometra katrorë territor, çka e zemëroi Putinin. Si pasojë, forcat ruse sulmuan infrastrukturën ukrainase, duke lënë shumë njerëz pa rrymë dhe ujë.
21 shtator, 2022: Putini fton rezervistët
Putini në një fjalim njoftoi se do të mobilizonte 300 mijë trupa shtesë për të rimarrë territorin e humbur. Vendimi ishte i diskutueshëm, me raportime se ishin rekrutuar burra të shtyrë në moshë. Si rezultat, shumë të rinj rusë u larguan nga vendi, shumë prej tyre për të mos u kthyer kurrë.
5 tetor, 2022: Rusia aneksoi katër regjione ukrainase
Putini nënshkroi vendimin për të aneksuar katër rajone të Ukrainës - Donetskun, Luhanskin, Khersonin dhe Zaporizhzhian. Si kundërpërgjigje, SHBA-ja dhe aleatët e saj i goditën me sanksione financiare më shumë se 1,000 njerëz dhe kompani ruse.
8 tetor, 2022: Shpërthen ura e Krimesë
Ura e Rusisë për në Krime u shkatërrua nga një shpërthim në tetor. Rusia e quajti “sulm terrorist” dhe fajësoi shefin e inteligjencës ushtarake të Ukrainës. Rusia më vonë u hakmor duke sulmuar me raketa dhe dronë Ukrainën, në zona me civilë.
21 dhjetor, 2022: Zelenskyy viziton Shtëpinë e Bardhë
i Ukrainës befasoi me vizitë presidentin amerikan Joe Biden në dhjetor të 2022-s. Administrata e Bidenit sapo kishte njoftuar për ndihmë ushtarake prej dy miliardë dollarëve për Ukrainën, duke përfshirë sisteme të raketave, raketa balistike dhe avionë për të zhvilluar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
25 janar, 2023: Gjermania dhe SHBA-ja i dhurojnë tanke Ukrainës
Teksa po bëhej një vit nga fillimi i luftës, SHBA-ja dhe Gjermania njoftuan se do të dhuronin tanke për të ndihmuar Ukrainën në mbrojtjen kundër forcave ruse. Ishte hap i madh, sidomos për Gjermaninë, e cila deri atëherë kishte hezituar t’i ofronte tanke Ukrainës .
Shkurt 2023: Rusia planifikon ofensivë të re
Zyrtarët perëndimorë kanë thënë në shkurt të 2023-s se Rusia po përgatiste ofensivë të re në Ukrainë. Ekspertët e institutit “Study of War”, cituan trajnimin dhe mobilizimin e mijëra trupave ruse dhe përshpejtimin e ritmit të operacioneve të Moskës në Luhanskun Perëndimor.
20 shkurt, 2023: Vizita befasuese e Bidenit në Kiev
Joe Bideni udhëtoi për në Ukrainë, lëvizje tronditëse e bërë disa ditë para përvjetorit të parë të fillimit të pushtimit rus. Bideni kaloi orë të tëra në Kiev, krah për krah me Zelenskyyn. Bideni njoftoi për ndihmë shtesë prej 500 milionë dollarëve për Ukrainën që ta mbronte veten nga Rusia.
23 qershor, 2023: Rebelohet “Wagneri”
Qindra mercenarë rusë të grupit “Wagner”, organizatë paramilitare, u mobilizuan larg nga pozicionet e luftimit në Ukrainë dhe filluan marshin drejt Moskës në përpjekje për grusht shteti. Kjo nxiti panik në Rusi, si sfida më e madhe kundër presidentit Putin. Lideri i grupit, Yevgeny Prigozhin, kritikoi udhëheqjen e ushtrisë ruse dhe shtyu anëtarët e forcave të armatosura t’i bashkohen kauzës së tij. Putini paralajmëroi ushtarët “të mos bëjnë gabim fatal”.
24 qershor, 2023: Përfundon përpjekja për grusht shtet e “Wagnerit”
Grupi “Wagner” ndaloi marshin drejt Moskës një ditë pas fillimit të kësaj lëvizjeje. Prigozhini deklaroi se grupi kishte arritur synimin për kapjen e vëmendjes së Kremlinit dhe se po kthehej në vijat e frontit. Dy muaj më vonë, Prigozhini u raportua i vrarë në një aksident të dyshimtë me avion.
8 shkurt, 2024: Zelenskyy ndërron gjeneralin
Mes mungesës së municioneve dhe personelit, Zelenskyy më 8 shkurt 2024 zëvendësoi gjeneralin kryesor Valerii Zaluzhnyi, sepse ishte “i nevojshëm ndryshimi në qasje dhe në strategji” në luftën kundër Rusisë.
13 shkurt, 2024: Ndihma shtesë e SHBA-së e pasigurt
Ndihmat shtesë për Ukrainën bllokohen në Kongresin e SHBA-së, pasi Republikanët shprehën kundërshtimin e tyre për ta mbështetur financiarisht. Bideni paralajmëroi se refuzimi i pakos së ndihmës është dorëzim te Putini dhe se ndalimi i ndihmës nga SHBA-ja do të dëmtonte perspektivat për fitimin e luftës.