Lufta në Ukrainë është në ngërç. Dy ushtritë konsiderohen më të dobësuara në numër të ushtarëve e armatim. Asnjëra nuk po arrin të marrë territor. Por për dy vjet u vranë dhjetëra mijëra civilë, u zhvendosën miliona njerëz e u shpenzuan miliarda dollarë. Fundi i luftës nuk duket në horizont
Dy vjet më parë, bota i pa tanket ruse teksa lëviznin në periferi të Kievit dhe raketat që fluturuan duke goditur kryeqytetin e Ukrainës. Ndryshe nga parashikimet fillestare, Kievi nuk ra kurrë, por vendi mbetet i përfshirë në luftë. Vija e frontit qëndron në rajonin juglindor të shtetit. Zonat e kontestuara janë të fokusuara kryesisht në Donbas dhe qytetet me porte përreth Detit të Zi.
Presidenti rus, Vladimir Putin, pasi njohu si të pavarura territoret e okupuara nga Rusia – Donetskun dhe Luhanskun – shpalli fillimin e “operacionit special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denazifikimin” e Ukrainës. Dy vjet pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia, lufta duket se ka ngecur në ngërç. Përderisa Ukraina gjatë verës dhe vjeshtës së 2022-s ktheu me sukses një pjesë të territorit, ofensiva e 2023-s nuk doli të jetë e suksesshme. Tash dy ushtritë konsiderohen më të dobësuara në numër të ushtarëve e armatim. Asnjëra nuk po arrin të marrë territor.
Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në 730 ditë luftë, kanë humbur jetën më shumë se 10 mijë civilë e janë plagosur rreth 20 mijë të tjerë. Tre në katër viktima civile ndodhën në zonat e mbajtura nga Qeveria ukrainase, gjë që tregon se Moska është përgjegjëse për pjesën më të madhe të dëmtimit të civilëve, sipas OKB-së. Kur bëhet fjalë për viktimat ushtarake, as Rusia dhe as Ukraina nuk kanë ofruar të dhëna të detajuara publike për ndikimin e luftës tek ushtria. Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar në gusht të vitit të kaluar se 70 mijë ushtarë ukrainas kishin vdekur dhe 100 mijë deri në 120 mijë të tjerë ishin plagosur. Rusia, nga ana e saj, pati pretenduar në nëntor se 383 mijë ushtarë ukrainas ishin vrarë ose plagosur. Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar ka vlerësuar se Rusia ka pësuar të paktën 320 mijë të vdekur e lënduar. Sipas të dhënave, 50 mijë ushtarë rusë janë vrarë e janë regjistruar si të vrarë edhe rreth 20 mijë mercenarë të grupit “Wagner”.
Në fund të 2023-s, pas gati dy vjet luftimesh brutale, sipas “Global Conflict Tracker”, Rusia ka thënë se ka marrë 18 për qind të territorit të Ukrainës. Në prag të luftës bëhej fjalë për 7 për qind të territorit të Ukrainës, ndërsa pas disa javësh luftimesh përqindja pati arritur në 27.
Perëndimi nuk është ndalë së ndihmuar Ukrainën që të mos dorëzohej para Rusisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryesuar në këtë aspekt. Kongresi i SHBA-së ka ndarë gjithsej 113 miliardë dollarë për ndihmë për Ukrainën. Shumica dërrmuese e parave shkuan drejtpërdrejt për mbrojtjen e Ukrainës (45.2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake) dhe për funksionimin e Qeverisë dhe (46 miliardë dollarë në ndihmë ekonomike dhe humanitare). Pas dy vitesh luftë, financimi është zbehur paksa. Administrata e presidentit Joe Biden, e cila dikur dërgonte dy ose tre pako të reja armësh çdo muaj, nuk i ka dërguar Ukrainës një dërgesë të madhe armësh që nga 27 dhjetori 2023. Ndërsa Kongresi përpiqet të kalojë një fond shtesë prej 60 miliardë dollarësh në lidhje me Ukrainën, vëzhguesit besojnë gjithnjë e më shumë se paketa e ndihmës mund të ketë qenë e fundit.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se popullata e Ukrainës (i gjithë vendi brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht), e cila arrinte në 43.5 milionë njerëz në vitin 2021, ra në 39.7 milionë në vitin 2022. Rënia drastike vazhdoi edhe në vitin 2023. Popullsia ra në 36.7 milionë banorë - niveli më i ulët që kur Ukraina u bë e pavarur në vitin 1990.
Që nga janari, 6.3 milionë ukrainas janë bërë refugjatë jashtë vendit, e 3.7 milionë të tjerë të zhvendosur brenda vendit.