Botë

Akuza të reja ndaj senatorit Menendez, dyshohet se pranoi “dhurata” nga Katari

Bob Menendez

Senatori amerikan Bob Menendez në një aktakuzë të re federale akuzohet se kishte pranuar mito nga Katari. Është vendi i dytë i huaj që ai pretendohet se ka ndihmuar “në mënyrë të paligjshme”, ka raportuar “BBC”.

Akuzat e fundit e ndërlidhin atë me një skemë korrupsioni nga viti 2021 deri më 2023.

Një avokat i senatorit të New Jerseyt ka thënë se pretendimet e Departamentit të Drejtësisë janë të “pabaza” dhe “supozime të çuditshme”.

Menendez, që vjen nga radhët e demokratëve, u deklarua i pafajshëm në tetor për akuzat që pretendojnë se ai kishte vepruar si agjent i paligjshëm i Egjiptit.

Ai është përballur me thirrje për dorëheqje, përfshirë edhe nga vetë partia e tij, por deri më tash e ka refuzuar ta bëjë këtë.

Aktakuza e zbuluar të martën pretendon se Menendez pranoi dhurata, përfshirë edhe bileta për të parë gara me vetura, në këmbim për komente që lavdëronin Qeverinë e Katarit.

Dokumenti nuk përmban asnjë akuzë të re, por përfshin detaje për krimet e pretenduara të kryer nga ai dhe bashkëshortja e tij, Nadine Menendez.

Nadine Menendez po ashtu akuzohet për të njëjtën skemë të dyshuar të ryshfetit dhe zhvatjes. Ajo po ashtu u deklarua e pafajshme.

Tre biznesmenë nga New Jersey të përmendur në rastin kanë mohuar gjitha akuzat.

Pretendimi i fundit e zgjat komplotin e supozuar për një vit dhe përfshinë kohën e Menendezit si kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin e SHBA-së, një post nga i cili ai dha dorëheqje në shtator.

Menendez 70-vjeçar ka mohuar çdo akuzë.

Në aktakuzën e re pretendohet se ai kishte ndihmuar një nga biznesmenët e akuzuar – Fred Daibes – duke bërë komente publike në favor të Katarit për ta ndihmuar atë të sigurojë një investim.

Pas prezantimit të Daibesit me një investues që thuhet se ishte anëtar i familjes mbretërore të Katarit, prokurorët thonë se Menendez “bëri deklarata të shumta publike duke mbështetur Qeverinë e Katarit”.

Ai më pas ato deklarata ia dha Daibesit që t’i përdorë si mjet për ta bindur investuesin nga Katari që të investojë në projektin e tij të patundshmërisë në New Jersey.

Image

Rreth një muaj më vonë, Menendez dhe Daibes thuhet se morën pjesë në një ngjarje në New York të organizuar nga Qeveria e Katarit.

Disa ditë më vonë, sipas aktakuzës, Daibes i dërgoi senatorit fotografi të orëve të dorës me çmime që silleshin nga 9990 deri 23990 dollarë, ndërsa i pyeti: “Po një nga këto?”

Në vitin 2022, përpara takimit të Daibesit në Londër me investuesin nga Katari, Menendez pretendohet se u dërgoi mesazh të dyve.

“Përshëndetje, e kuptoj se shoku im do të ketë takim me ju më 15 të këtij muaji. Shpresoj se kjo do të rezultojë në një marrëveshje të favorshme dhe të dobishme për të dyja palët, marrëveshje për të cilën jeni angazhuar të dy dhe e keni diskutuar”, shkruar Menendez.

Në mesin e përfitimeve që Menendez mori nga Katari, sipas aktakuzës, ishin bileta për një garë të Shpërblimit të Madh të Formula 1 në Miami, Florida.

Po ashtu thuhet se një ditë pasi u kthye nga udhëtimet që pati në Katar e Egjipt dhe u mor në aeroport nga shoferi i Daibesit, senatori Menendez kishte bërë një kërkim në internet për “sa vlen një kilogram ari”.

Një bastisje në shtëpinë e Menendezit në qershor të vitit 2022 zbuloi, në mesin e tjerave, edhe dy shufra ari prej një kilogram peshë për të cilat thuhet se i ishin dhënë Menendezit si ryshfet.

Po ashtu agjentët zbuluan qindra e mijëra dollarë kesh që mbanin gjurmët e gishtërinjve dhe ADN-në e Daibesit.

Adam Fee, avokat i Menendezit, tha se “pretendimet e reja të Qeverisë mbajnë erë dëshpërimi”.

Ai tha se pretendimet e prokurorëve janë të “pabaza”.

“Në çdo moment, senatori Menendez veproi plotësisht në mënyrë të përshtatshme në lidhje me Katarin, Egjiptin dhe shumë vende tjera më të cilat ai ndërvepron në mënyrë rutinore”, tha Fee.