Botë

Ura që ndan Italinë

Për aq sa mbahet mend, të gjithë ata që ëndërruan shumë për pushtet në Itali gjithashtu e menduan një urë për Sicilinë – por të gjithë dështuan

Zmadhoni hartën e Italisë dhe do të vini re boshllëkun, ku maja e gishtit të gadishullit në formë çizmeje duket se prek Sicilinë - shtrirja e detit që e bën Sicilinë ishull. Ngushtica e Mesinës është vetëm disa kilometra e gjerë në pikën e saj më të ngushtë, dhe mes dy brigjeve që nuk takohen kurrë plotësisht, Mesdheu prodhon halucinacion të veçantë. Herë pas here marinarët e shohin atë: fatamorganën, trukun e dritës që e bën vijën bregdetare të duket më afër. Magjistari Morgan le Fay, në një rrëfim sicilian të legjendës arturiane, joshi një mbret barbar për vdekje në këto ujëra, duke buzëqeshur teksa ai mbytej.

Në jug të Italisë distancat mashtrojnë. Treni midis Palermos dhe Barit udhëton afërsisht në të njëjtën hapësirë si midis Torinos dhe Romës në trefishin e kohës. Një studim i Ministrisë së Infrastrukturës arriti në përfundimin se Sicilia mund të jetë gjithashtu njëqind herë më larg nga kontinenti sesa është në të vërtetë, për gjithë kohën e nevojshme për të kaluar ngushticën me makinë në një traget të ndryshkur. Nga të gjithë ishujt pa urë apo tunel që i lidh me Evropën, Sicilia është më i madhi dhe - vetëm në aspektin gjeografik - më i afërti.

Ndërtoni një urë, atëherë dhe le të mbarojmë punë! Radhët e njerëzve që ndoqën këtë ide përfshijnë perandorin Charlemagne, mbretin Burbon të asaj që dikur quhej “Dy Sicilitë”, mbretin e mëvonshëm që bashkoi Italinë, fashistin infrastrukturor Benito Musolini dhe Silvio Berlusconi me shërbim të gjatë. Të gjitha dështuan.

Ura përgjatë ngushticës së Mesinës është “projekti i Apollonit të Italisë”, më tha Francesco Costa, moderator sicilian. Shteti ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro për studime, modele, paga, delikte – gjithçka përveç ndërtimit.

Matteo Salvini, ministri i infrastrukturës së Giorgia Melonit, thotë se do ta ndërtojë atë. Paraardhësi i tij, Paola de Micheli më tha se shanset e tij mund të jenë më të mirat ndonjëherë: Të gjitha shtresat e qeverisë mbështesin projektin, fondet janë të arritshme dhe Salvini ka trashëguar planin dhe vizionin e Berlusconit. Modeli plastik duket i mrekullueshëm.

Këtë verë kalova tri javë në vend, duke pyetur politikanët, akademikët dhe miqtë nëse mendonin se më në fund Italia do të lidhte Sicilinë me kontinentin. “Non lofaran nomai”, thanë shumica e njerëzve –“nuk do ta bëjnë kurrë”. Vetëm disa ndaluan dhe menduan. “Kush e di?”, është shprehur një shitës frutash në Sardenjë teksa peshonte disa fiq. “Ndoshta kjo do të vijë koha që ata ta bëjnë këtë”.

Ura, “Iluzion optik”

Ura që mungon tregon histori rreth mashtrimit të infrastrukturës së madhe - dhe për fuqinë si një iluzion optik. Kaq shumë herë, ura është dukur diçka bindëse, vetëm për t’u zhdukur si mirazh, duke rrëzuar njerëz të fuqishëm.

Italiani i parë që u përpoq të kalonte ngushticën e Mesinës mund të ketë qenë konsulli Lucius Metellus, rreth vitit 250 p.e.s. Pasi fitoi betejën e Palermos në luftërat Punike, ushtria e tij me plaçkë lufte, rreth 140 elefantë. Anijet e Metellusit nuk ishin mjaft të mëdha për t’i mbajtur, kështu që romakët lidhën gomone së bashku dhe më pas i çuan kafshët nëpër kontinent. Struktura mund të kishte qëndruar për disa ditë, duke lejuar njerëzit e veshur me toga të kalonin përpara dhe mbrapa, përpara se të shkatërrohej nga deti.

Disa mijëvjeçarë më vonë, në vitet 1860, Mbreti i Italisë Victor Emmanuel vendosi të ndërtojë një urë më pak për arsye praktike sesa si festë uniteti. Shumë shtete të vogla sapo ishin bashkuar për të formuar një vend dhe një urë për në Sicili do ta bënte integrimin të plotë. Diktatori fashist Benito Mussolini mendonte se një urë do t’u dërgonte një mesazh atyre që e vunë në dyshim atë unitet: Në përgjigje të një lëvizjeje shkëputëse në vitin 1942, ai deklaroi: “Është koha për t’i dhënë fund kësaj historie se Sicilia është një ishull. Pas luftës do të urdhërojë që të ndërtohet një urë”. Gjëja më e largët që arritën të dy udhëheqësit ishte të porosisnin studime rreth saj.

Njerëzit e fortë kanë një tërheqje famëkeqe ndaj punëve publike faraonike, por liderët demokratë thuhet se kanë avantazhin për të thirrur inovacionin e kërkuar për t’i përfunduar ato. Në Itali, të dy sistemet kanë premtuar, por asnjëri nuk ka dorëzuar, një urë për në Sicili.

Pas Luftës së Dytë Botërore, për të parandaluar rikthimin e fashizmit, arkitektët e kushtetutës demokratike të Italisë autorizuan Parlamentin për t’i hequr liderët e vendit. Dhe i hoqën ata: Që nga viti 1946, mesatarja e kryeministrit italian ka zgjatur më pak se gjysmën e mandatit të caktuar pesëvjeçar. Kjo paqëndrueshmëri i ka vënë përkrahësit e urës në pozitën që duhet të paraqesin çështjen e tyre vazhdimisht.

I tillë ishte fati i Oscar Andòs, senatorit pas një ligji të vitit 1971 që autorizonte krijimin e Messina Strait Inc., kompani publike që do të ngarkohej me ndërtimin e urës. Në vitin 1986, kompania zgjodhi një dizajn nga disa të përshkruara në një studim fizibiliteti. Antonio Andò, djali i Oscarit dhe vetë një ish-senator, më tha se kompania vendosi kundër një tuneli për arsye teknike dhe estetike. Ai gjithashtu hodhi poshtë një dizajn urë me shtylla në ujë, sepse rrymat e ngushticës janë veçanërisht të pabesa. Fituesi ishte kështu një urë e varur e ankoruar në shtylla në të dy brigjet, e rrënjosur në tokë të thatë. Asnjë urë e varur nuk i kishte pasur ndonjëherë mbështetësit e saj aq larg: Në dy milje, ura mbi ngushticën e Mesinës do të kishte hapësirën më të gjatë në botë.

Përpjekjet e dështuara

Por përpara se ky dizajn të bëhej realitet në fillim të viteve 1990, një skandal korrupsioni rrëzoi çdo parti politike italiane dhe vetë republikën e parë. Silvio Berlusconi doli nga këto rrënoja: magnat ndërtimi dhe mediash, ai ishte gjithashtu i korruptuar, por të paktën nuk ishte politikan. Duke bërë fushatë për një mandat të dytë jo të njëpasnjëshëm në vitin 2001, Berlusconi nënshkroi një kontratë simbolike me popullsinë italiane në televizion drejtpërdrejt, duke premtuar se do të largohej nëse nuk do të arrinte katër nga pesë premtimet. Njëra prej tyre ishte ndërtimi i veprave të mëdha publike, veçanërisht, ura për në Sicili.

Parlamenti dha dritën jeshile për urën në vitin 2002 dhe PietroLunardi, ministri i infrastrukturës i Berlusconit, i tha Corriere Della Seras se “guri i parë” do të vendosej në fund të 2004 ose në fillim të 2005. Mirëpo ndërtimi nuk filloi kurrë. Në vitin 2006, opozita ishte mbledhur kundër projektit. Juristët e shquar paralajmëruan për rrezikun e përfshirjes së mafies. Disa qytetarë të Mesinës nuk donin të shihnin plazhin e tyre më të bukur të shkatërruar. Shumë italianë thjesht nuk e pëlqyen Berlusconin. Aktivistët e mjedisit ishin veçanërisht të zëshëm: shumë rrugë jetike migrimi për peshqit dhe zogjtë kalojnë përmes ose mbi ngushticën, dhe Fondi Botëror i Kafshëve të Egra paralajmëroi se kabllot e urës do të ngatërronin zogjtë që fluturonin nga Afrika në Evropë, se brigjet do të degradoheshin dhe se pemët do të shkurtoheshin.

“Unë nuk bëj vëzhgim zogjsh”, më tha AntonioAndò kur pyeta për këto kundërshtime. “Por midis zhvillimit të jugut dhe lëvizjes së disa zogjve, njëri duhet të preferohet mbi tjetrin”.

Romano Prodi, kundërshtari i Berlusconit në zgjedhjet e vitit 2006, premtoi se do të paralizonte të gjitha planet e urës nëse fitonte – gjë që e bëri. Por, duke qenë se politika italiane e pasluftës është ajo që është, Berlusconi u kthye në pushtet dy vjet më vonë dhe ura u kthye në agjendë.

Pietro Ciucci, shef ekzekutiv i MessinaStraitInc. nga viti 2002 deri në 2013, njoftoi se guri i parë do të vendosej deri në vitin 2010. Pse nuk u vendos?

“Disa deklarata, veçanërisht në nivelin politik, nuk vendosen në gurë” më tha Ciucci.

Më pas, në vitin 2010, Berlusconi u zotua se një plan përfundimtar do të ishte para Parlamentit deri në fund të vitit. Çfarë ndodhi aty?

“Absolutisht asgjë nuk ndodhi”, më tha Ciucci.

Shefi i tij i marrëdhënieve me publikun ndërhyri për të shpjeguar se këto afate nuk ishin aq të mirëfillta; qëllimi i tyre ishte psikologjik: “Nëse jepni afate të buta, njerëzit qetësohen shumë”, ka theksuar ai.

Në kohën kur Berlusconi dha dorëheqjen në vitin 2011 – ai u padit për gjoja se kishte marrëdhënie seksuale me të mitur dhe më vonë u shpall i pafajshëm në apel – ura mund të dukej më e pakta nga premtimet e tij të paplotësuara. Ai gjithashtu nuk kishte ulur taksat mbi të ardhurat apo përgjysmuar papunësinë. Ai la pas një krizë borxhi që kërkonte masa shtrënguese. Ura tani dukej një luks që Italia nuk mund ta përballonte. Në vitin 2013, pasardhësi i Berlusconit, ekonomisti Mario Monti, likuidoi Messina Strait Inc. dhe ra dakord të paguante kontraktorët e saj më shumë se 300 milionë euro dëmshpërblim.

Fjala mbase unike për gjuhën italiane është “umarell”, për një burrë në pension që rri rreth kantiereve të ndërtimit për të parë dhe për të ofruar këshilla që nuk i kërkon askush. Mbase “umarellët” janë arsyeja që ideja e ndërtimit të kësaj ure nuk shuhet kurrë, entuziazmi i tyre është forca që e mban atë pavarësisht mjetit politik.

Më pak gjasa nga të gjithë politikanët që ta ketë ringjallur këtë projekt është pa dyshim Matteo Salvini, ministri aktual i infrastrukturës. Ura përfshin një investim prej 12 miliardë eurosh në Italinë jugore, një pjesë e vendit, banorët e të cilit Salvini i quajti “parazitë” ndërsa bënte fushatë për shkëputjen e veriut. Në fund të vitit 2016, ai u tall me perspektivën e një ure për në Sicili: “Inxhinierët thonë se nuk mund të qëndrojë” u tha ai gazetarëve. “Nuk do të doja të shpenzoja disa miliardë euro për ndonjë urë në mes të detit”. Tani Salvini është në krye të këtij projekti.

Përktheu: Blerta Haxhiu

LEXO EDHE: