Botë

Putin: Qëllimet në Ukrainë mbeten të njëjta dhe nuk do të ketë paqe derisa të arrihen

Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin e filloi konferencën e tij të fundvitit për media të enjten me një pyetje në lidhje me Ukrainën, duke u zotuar se qëllimet e tij mbeten të njëjta dhe nuk do të ketë paqe derisa ato të arrihen.

Putini u prit me duartrokitje teksa mbërriti në sallën në qendër të Moskës, pak larg nga Kremlini. Këtë vit, qytetarët e zakonshëm kanë mundësinë të telefonojnë për t'i bërë pyetje Putinit, së bashku me gazetarët, përfshirë edhe ata perëndimorë.

Temat kryesore pritet të jenë luftimet në Ukrainë, pagesat për ushtarët dhe familjet e tyre dhe ekonomia, thanë gazetarët shtetërorë rusë.

Në të vërtetë, pyetja e parë ishte për Ukrainën. Putin ka thënë të enjten se qëllimet e Moskës – “denazifikimi, demilitarizimi dhe statusi neutral” i Ukrainës – mbeten të pandryshuara.