Botë

40 nga 49 të vdekurit si pasojë e një zjarri në Kuvajt janë indianë

Kuvajt

Kuvajt

Të paktën 40 indianë janë në mesin e 49 personave që kanë vdekur si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në qytetin Mangaf të Kuvajtit të mërkurën, ka bërë të ditur ministria e Jashtme e Indisë.

Zjarri ka shpërthyer në një ndërtesë e cila banohej kryesisht nga punëtorë të huaj, raporton BBC.

Autoritetet kanë thënë se shumica e të vdekurve janë nga shtetet Kerala dhe Tamil Nadu të Indisë jugore. Rreth 50 indianë kanë mbetur po ashtu të lënduar në ngjarje.

Kryeministri indian, Narendra Modi u ka shprehur ngushëllimet e tij familjeve të viktimave.

“Mendimet e mia janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre. Lutem që të lënduarit të shërohen sa më shpejt”, ka shkruar ai në X.

Modi ka shtuar se ambasada indiane është duke e monitoruar situatën dhe duke punuar me autoritetet e Kuvajtit.

Zëvendëskryeministri i Kuvajtit, Sheikh Fahad Yusuf al-Sabah ka akuzuar pronarët e pronave për lakmi, duke thënë se ata i kanë shkelur standardet e ndërtimit dhe se kjo ka çuar në tragjedinë. 

LEXO EDHE: