Më 26 prill të 1986-s, në orën që shënonte 01:23 e mëngjesit, reaktori i katërt i centralit bërthamor të Çernobilit, shpërtheu. Çernobili, qytet i vogël në veri të Ukrainës, me një popullsi lokale ukrainase sovjetike atëbotë, do të hynte në histori. Në historinë e zezë të njerëzimit
Shpërthimi nuk ishte vetëm një incident teknik pasi shpejt do të shndërrohej në një prej katastrofave më të mëdha bërthamore në histori. Me pasoja masive shëndetësore, mjedisore, politike e sociale.
Dy punonjës të uzinës vdiqën po atë natë e 28 të tjerë javët në vijim për shkak të kontaktit direkt me rrezatim. Mijëra persona humbën jetën më pas e shumë të tjerë pësuan përgjatë dekadave nga shpërndarja e rrezatimit. Qyteti i vogël ukrainas u mbyll dhe u bë i pajetueshëm për mijëra vjet. Ndonëse nën masa të rrepta sigurie, Çernobili pranon turistë dhe studiues që duan të dinë mbi ndodhinë.
Lufta, një realitet i ri në Çernobil
Çernobili pushtoi ballinat e gazetave botërore edhe në shkurtin e 2022-tës, kur presidenti rus, Vladimir Putin, dha urdhër të niste “operacionin special ushtarak” kundër Ukrainës.
Jashtë planit rus nuk mbeti as qyteti famëkeq.
Batalionet ruse u futën me shpejtësi në Çernobil, më 24 shkurt nëpërmjet territorit bjellorus, duke pushtuar në fillim termocentralin bërthamor. Punonjësit, që besohet se ishin rreth 300 që qëndronin në objektin e siguruar, u mbyllën brenda pa pasur mundësi të largoheshin. Ukraina posedonte atje Batalionin e Parë të Mbrojtjes së Termocentralit Bërthamor, por s’kishte gjasa t’u kundërvihej tankeve dhe artilerisë së rëndë ruse. Ata ishin të paktë në numër dhe të paarmatosur mirë.
Rusët morën në dorë termocentralin ku 39 vjet më parë kishte ndodhur shpërthimi më i madh bërthamor në botë.
Batalioni ukrainas u kap, u arrestua dhe u mbajt brenda një bunkeri ish-sovjetik për një muaj, me mungesë ushqimi dhe ajri të pastër. Në anën tjetër, punonjësit dhe inxhinierët qëndruan për ta përcjellë gjendjen e centralit. U raportua për rrjedhje të rrezatimit dhe përkeqësim, ndonëse rusët deklaroheshin vazhdimisht “se situata është nën kontroll”.

Mediet botërore raportonin se trupat ruse tashmë ishin prekur nga rrezatimi i Çernobilit, e disa thanë se pati edhe ushtarë që humbën jetën nga kontakti direkt, në thellësi të centralit.
Të qarta i ka rrëfimet Evgen Markevich, një 86-vjeçar, që ka thënë se me dhimbje ndoqi pushtimin e Çernobilit.
“Pikëllimi nisi. Ata po qëllojnë. Putini është si Hitleri. Trupat ruse pushtuan stacionin bërthamor të Çernobilit”, ka shkruar ai në ditarin e tij.
Çernobili tash i ka rreth 100 banorë të vetmuar, që jetojnë në rrënoja apo shtëpi gati të shkatërruara. Ata nuk kishin pranuar të evakuoheshin në kohën kur ndodhi shpërthimi.
Halyna Voloshyna, 74-vjeçare, është banorja më e re në moshë që vazhdon të jetojë në një prej zonave më radioaktive në planet. Rrezatimi radioaktiv ka bërë që kjo tokë e ish-Bashkimit Sovjetik të njollosej për qindra vitet e ardhshme. Shpërthimi bëri që të vihej në pah se si një sistem politik jetonte në një kulturë politike të ndërtuar mbi gënjeshtra.
Kapja e centralit si lëvizje strategjike
Ben Hodges, ish-gjeneral amerikan, qe shprehur se rusët e shfrytëzuan Çernobilin pasi iu shërbente si zonë e afërt me Kievin. Sipas tij, “në rast se rusët synonin të kryenin sulme nga veriu, Çernobili ishte pjesa më e përshtatshme për sulm”.
Pati pretendime se Rusia po e shfrytëzonte Çernobilin edhe për shantazh ndaj Perëndimit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pati thënë se kapja e Çernobilit ishte “shpallje e luftës kundër tërë Evropës”.
“Sulmi në Çernobil ishte krejt i pakuptimtë dhe gjendja e ish-centralit bërthamor, mbyllja dhe objektet e depozitimit të mbetjeve bërthamore nuk dihej në çfarë gjendje ishin”, thuhej në komunikatën e Zyrës së Presidentit.
Ushtria ukrainase ka thënë se rusët ishin shumë të pakujdesshëm me trajtimin që i bënë zonës së kontaminuar, duke thënë se gjatë tërheqjes morën edhe një dozë radioaktiviteti me vete. Në reagim thuhej se zona përreth Çernobilit, përkatësisht Pylli i Kuq, është zona më e kontaminuar në planet. Ushtarët rusë shtuan rrezikun kur gërmuan llogore pranë zonave të rrezikshme.
Niveli i rrezatimit ishte shtuar dukshëm në Pyllin e Kuq.

“Është me të vërtetë çmenduri. Unë me të vërtetë nuk e kam idenë pse ata shkuan në pyll. Por, ne mund të shohim se ata u futën atje dhe u kthyen, e niveli i rrezatimit u rrit dukshëm”, ka thënë ministri ukrainas për Energji, German Galushchenko.
Stafi ukrainas që mbeti i bllokuar në zonë punoi në kushte të rënda, me presion dhe pa pushim. Rusët u akuzuan edhe për plaçkitje të termocentralit.
Volodymyr Falshovnyk, menaxher turni në Çernobil, ka rrëfyer se si dhunshëm u detyruan të punonin në central. Ai ka thënë se momenti i pushtimit ishte më i rëndi.
“Të afërmit tanë nisin të telefonin dhe të kuptonin se qyteti po sulmohej, se kishte të plagosur dhe të vdekur. Ne i pyetëm rusët se çka po ndodhte, e ata na thanë se nuk ishin trupa të rregullta, pa çka se granatimet nuk ndaleshin. Rusët sollën personel nga Rosatom (Agjencia Bërthamore Ruse v.j.) për të na shoqëruar dhe nën shoqërimin e tyre i vizituam magazinat e pambuluara. I grabitën ato magazina”, ka thënë 64-vjeçari.
Në fundin e marsit të 2022-tës, trupat ruse u tërhoqën në mënyrë operacionale nga veriu ukrainas, pa zhurmë e pa shpjegim. Ushtria ukrainase u kthye me shpejtësi, duke rimarrë kontrollin e zonës e pas kësaj, inspektorë ndërkombëtarë, përfshirë edhe Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, që vizituan vendin me qëllim të ruajtjes së stabilitetit dhe për t'i rivendosur sistemet monitoruese.
Sarkofagu në rrezik
Më 14 shkurt, vëmendja u kthye sërish në Çernobil. Një dron rus me eksploziv që besohet të ketë kushtuar 20.000 dollarë ra mbi çatinë e Çernobilit. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se qëllimi ishte të dëmtohej shtresa mbrojtëse e ish-reaktorit bërthamor. Rusët e mohuan.
Droni la pasoja të konsiderueshme saqë autoriteteve të specializuara iu deshën disa ditë ta ndalonin zjarrin mbi çati. Më 7 mars, Ukraina doli zyrtarisht me komunikatë se siguria, ndonëse e brishtë, është rikthyer në Çernobil. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike njoftoi më 13 mars se zjarri kishte shkaktuar dëme të mëdha, duke përfshirë anën veriore dhe në një masë të vogël edhe atë jugore të çatisë. Nivelet e rrezatimit jashtë Çernobilit janë ende normale, por është e paqartë si do të rregullohet mburoja, sa do të kushtojë dhe sa kohë do t'i duhen Ukrainës.
Ekspertët kanë paralajmëruar se riparimet mund të zgjasin me vite. Ekziston rreziku që mburoja e çeliktë të nisë të gërryhet, ose gjendja e sarkofagut të përkeqësohet.
“Arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar shpenzoi kaq shumë para dhe kohë për ndërtimin e kësaj strukture mbrojtëse është pasi ata e dinë shkallën e kërcënimit e radioaktivitetit”, ka deklaruar Shaun Burnie, një specialist bërthamor që vizitoi reaktorin e dëmtuar në Çernobil pas sulmit rus me dronë.
Ai ka shtuar se “është arritje e madhe intelektuale të ndërtosh diçka që mund ta mbrojë Evropën, Ukrainën dhe botën nga brendësia e saj”.

“Dhe tani, rusët kanë hapur një vrimë në të, si fizikisht ashtu edhe metaforikisht”, ka shtuar ai.
Eric Schmieman, inxhinier që punoi për mbi 15 vjet në ndërtimin e mburojës së çeliktë, ka thënë se mburoja ishte projektuar të kishte efekt për 100 vjet, por sipas tij, sulmet ruse e kanë rritur rrezikun.
“Kishim bërë shumë analiza mbi sigurinë, duke marrë parasysh shumë gjëra të këqija që mund të ndodhin. I kemi marrë parasysh tornadot, erërat e fuqishme, reshjet e borës që mund të binin për 100 vjet, të gjitha gjërat, përveç luftës”, ka rrëfyer Schmieman, 78-vjeçar në pension me vendbanim në Uashington.
Ai ka shtuar se riparimet duhet të mos shtyhen edhe për shumë kohë, pasi situata vetëm sa do të përkeqësohet.
Schmieman mban shpresë te dronët.
“Një gjë që mund të na ndihmojë janë dronët. Kryesisht për shkak të luftës, Ukraina ka zhvilluar teknologjinë e dronëve më shpejt se gati çdo shtet tjetër. Dronët e vegjël, shumë më të vegjël se Shahed-136 që shpoi mburojën, ndoshta mund ta vlerësojnë dëmin dhe mund të ndihmojnë në rregullimin e saj”, ka thënë ai.
Dronët rusë vazhdojnë të fluturojnë mbi qiellin e zymtë të Çernobilit. Një pjesë e tyre destinacion kanë Kievin.