Botë

Vuçiq: Serbia do të çarmatoset pothuajse tërësisht

Pas dy vrasjeve masive në vetëm dy ditë në Serbi, institucionet njoftuan masa të reja, edhe më të rrepta për kufizimin e posedimit të armëve, si dhe praninë e policëve në shkolla, kryesisht në Beograd.

Së pari, një 13-vjeçar vrau nëntë dhe plagosi shtatë në një shkollë të Beogradit, dhe vetëm një ditë më vonë, një 21-vjeçar u arrestua me dyshimin se vrau tetë dhe plagosi 14 persona në një fshat afër Mladenovacit, një periferi të Beogradit.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e quajti vrasjen masive të së premtes një "akt terrorist" dhe tha se kryesi “nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit - ai kurrë nuk do të largohet nga burgu”.

Ai ka propozuar masa të reja për kontrollin e armëve që janë në duart e civilëve.

Ai shpalli "çarmatimin pothuajse të plotë të Serbisë", raportoi Danas.

Ministria e Punëve të Brendshme është urdhëruar që të përgatisë me procedura urgjente ndryshime në Ligjin për Armët dhe Municionin, që do të shtrëngonte ndjeshëm kushtet për mbajtjen e armëve, si dhe forcimin e dënimeve për ata që shkelin rregullat.

“Të gjithë ata që kanë armë, që janë rreth 480 mijë persona, pa gjuetarë, do të kontrollohen dhe nuk do të mbeten më shumë se 30 deri në 40 mijë prej tyre që do të kenë mundësi të kenë armë. Gjobat për armët pa leje do të jenë aq të larta sa thuajse do t’i dyfishojmë”, tha ai.

Vuçiq tha gjithashtu se i ka propozuar qeverisë që ta kthejë dënimin me vdekje, por kundër tij ka qenë kryeministrja Ana Brnabiq dhe kabineti i saj.