Botë

Bankierët që ndihmuan burrin e njohur si “kuleta e Putinit” në Zvicër, dalin në gjyq

Katër bankierë do të dalin në gjyq në Cyrih javën e ardhshme të akuzuar se kanë ndihmuar një njeri të njohur si “kuleta e Vladimir Putinit” për të depozituar miliona franga zvicerane në Zvicër.

Katër burrat që punonin në Gazprombank, do të dalin në gjyq më 8 mars dhe akuzohen për mungesë të kujdesit në transaksione financiare duke mos identifikuar pronarin përfitues të parave, raportoi Reuters.

Mediat zvicerane thanë se vlera e përfshirë në këtë rast ishte rreth 50 milionë franga zvicerane.

Dy llogari ishin hapur në Gazprombank më 2014 me përfituesin e identifikuar si Sergei Roldugin, një mik i afërt dhe i besuar i presidentit rus.

Roli i Rolduginit si “kuleta” e Putinit u zbulua më 2016 nga Panama Papers, një hetim i bazuar në miliona dokumente të publikuara.

Bankierët nuk kishin kryer asnjë kontroll për të parë nëse Roldugin ishte pronari përfitues i aseteve.

Në Zvicër, bankat janë të detyruara që të refuzojnë ose shkëpusin marrëdhëniet biznesore nëse ka dyshime fillestare për identitetin e palës kontraktuese.

Llogaritë janë mbyllur në shtator 2016. Roldugin ka qenë cak i sanksioneve të SHBA-së pas pushtimit rus në Ukrainë dhe sanksioneve në Zvicër, qeveria e së cilës i është referuar atij si “kuleta e Putinit” në listën e personave të bllokuar.