Botë

35 palestinezë të vdekur nga sulmet izraelite në Gaza, në mesin e tyre edhe fëmijë

Gaza

Të paktën 35 palestinezë u vranë herët të enjten nga bombardimet izraelite në zona të ndryshme në Rripin e Gazës, njoftoi agjencia palestineze e lajmeve “WAFA”.

Fëmijë dhe gra ishin në mesin e shtatë të vrarëve kur një ndërtesë banimi në rrugën al-Jalaa të Gazës u bombardua. 15 të tjerë u vranë në bombardimin e një shtëpie ku njerëzit e zhvendosur po strehoheshin, në perëndim të kampit Nuseirat në Rripin qendror të Gazës, shtoi agjencia.

Në zonën perëndimore të qytetit Rafah, në jug të Rripit të Gazës, 13 palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën, në një sulm që goditi njerëzit që ofronin ndihma.

Më parë, mjekët thanë se të paktën 30 persona u plagosën gjithashtu në sulmin në Rafah, me disa persona në gjendje kritike, raporton Reuters.

Në qytetin e afërt të Khan Younisit, një grup tjetër burrash që merreshin me sigurinë për dërgesat e ndihmave u godit nga një sulm ajror i veçantë izraelit që plagosi disa prej tyre, thanë mjekët.

Nuk kishte koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite.

Bandat e armatosura kanë rrëmbyer në mënyrë të vazhdueshme kamionë me ndihma menjëherë pasi ata futen në enklavë, duke bërë që grupi islamik Hamas të formojë një grup pune për t’u përballur me ta.

Hamasi ka njoftuar se sulmet ushtarake izraelite kanë vrarë të paktën 700 policë të ngarkuar me sigurimin e kamionëve me ndihma në Gaza që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023.