Serbia të shtunën shfaqi publikisht një sistem raketor kundërajror kinez të marrë së fundmi, duke ngritur shqetësime në Perëndim dhe në mesin e disa fqinjëve të Serbisë se një grumbullim i armëve në Ballkan mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon, shkroi AP.
Sistemi raketor HQ-22 u dërgua muajin e kaluar nga disa aeroplanë transportues të Forcës Ajrore Kineze në atë që besohet të jetë dërgesa më e madh ndonjëherë me transport ajror i armëve kineze në Evropë.
Edhe pse Serbia zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, e ka armatosur veten me shumicë armë ruse dhe kineze, përfshirë tanket e luftës T-72, avionët MiG-29, helikopterët sulmues Mi-35 dhe dronë.
Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë paralajmëruan Beogradin kundër blerjes së sistemeve raketore HQ-22. Ata patën thënë se nëse Serbia vërtetë dëshiron të anëtarësohet në BE dhe aleancave të tjera perëndimore, duhet t’i bashkërendojë pajisjet ushtarake me standardet perëndimore.
Sistemi i raketave kineze është krahasuar gjerësisht me sistemet e raketave amerikane Patriot dhe ruse S-300, megjithëse ka një rreze më të shkurtër se S-300. Serbia është operatori i parë i raketave kineze në Evropë.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq pas shfaqjes së armëve në një aeroport ushtarak afër Beogradit ka thënë se raketat kineze, ashtu si edhe pajisjet e tjera ushtarake të dërguara së fundmi, nuk janë kërcënim për askënd dhe vetëm paraqesin një “parandalues të fuqishëm” kundër sulmuesve potencial.
“Ne nuk do të lejojmë më të jemi thes që të goditet për askënd”, tha ai, siç duket duke iu referuar bombardimit 78-ditor të NATO-s në Serbi për sulmet e saj të përgjakshme kundër shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.
Serbia, e cila ishte në luftë me fqinjët e saj në vitet 1990, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008. Ka ende raporte të ngrira me anëtarët e NATO-s Kroacinë dhe Malin e Zi si dhe Bosnjën.
Vuçiqi tha se Serbia po negocion për blerjen e avionëve francezë Dessault Rafale, dhe ato britanikë Eurofighter Typhoon. Ai tha se vetëm “pengesat politike” mund ta parandalonin blerjen e avionëve perëndimore.
Ekzistojnë shqetësime se Rusia mund ta shtyjë aleatin e saj Serbinë në një konflikt të armatosur me fqinjët e saj që të përpiqet që të paktën ta largojë vëmendjen nga lufta në Ukrainë.
Edhe pse votoi pro rezolutës së Kombeve të Bashkuara që dënon sulmet e përgjakshme ruse në Ukrainë, ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve në Moskë.