Botë

NATO: 7.000 deri në 15.000 trupa ruse janë vrarë në Ukrainë

NATO-ja vlerësoi të mërkurën se 7.000 deri në 15.000 ushtarë rusë janë vrarë në katër javët e para që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, e ku ukrainasit kanë bërë rezistencë më të ashpër se sa pritej dhe i kanë mohuar Moskës fitoren e rrufeshme që e shpresonte, raportoi AP-ja.

Një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s ka thënë se vlerësimi është bazuar në informacionin nga zyrtarët ukrainas, në ato çfarë Rusia ka publikuar – qëllimshëm ose jo – dhe grumbullimet e inteligjencës nga burime të hapura. Zyrtari ka folur në kushte anonimiteti nën rregullat e vendosura nga NATO-ja.

Kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt me ofensivën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kërcënoi me armë bërthamore nëse Perëndimi intervenonte, përmbysja e shpejtë e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës dukej e mundshme.

Por, katër javë nga fillimi i pushtimit rus, Rusia tani po përballet me ekonomi të rënduar nga sanksionet. Presidenti amerikan Joe Biden dhe aleatët do të takohen në Bruksel dhe Varshavë këtë javë për të diskutuar masa të reja ndëshkuese për Rusinë dhe më shumë ndihma ushtarake për Ukrainën.

Derisa Bideni po largohej nga Shtëpia e Bardhë të mërkurën drejt Evropës, ai paralajmëroi se ekzistonte “rrezik real” që Rusia të përdorë armë kimike dhe shtoi se këtë do ta diskutonte me liderët e tjerë.