Botë

Këshilltari i Putinit jep dorëheqje për shkak të luftës në Ukrainë, largohet nga Rusia

Anatoli Chubais, këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin për klimën, ka dhënë dorëheqjen dhe është larguar nga vendi, duke përmendur kundërshtimin e tij ndaj luftës në Ukrainë, sipas dy personave të afërt me ngjarjen. Ai është bërë zyrtari i nivelit më të lartë që ka shkëputur kontaktet me Kremlinin për shkak të pushtimit, raporton Bloomberg.

66-vjeçari është një nga të paktët reformatorë ekonomikë të epokës së të ’90-ave, i cili kishte mbetur në qeverinë e Putinit dhe kishte mbajtur lidhje të ngushta me zyrtarët perëndimorë. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

I njohur si arkitekti i privatizimeve të viteve 1990 në Rusi, Chubais e futi Putinin në Kremlin në mesin e viteve të ’90-ave. Nën Putinin, Chubais mori poste të larta në kompanitë e mëdha shtetërore derisa presidenti e emëroi atë të dërguar për klimën në diskutimet botërore vitin e kaluar.

Që nga nisja e luftës në Ukrainë, qeveria ruse ka rritur presionin ndaj kritikëve vendas që kundërshtojnë pushtimin. Putini paralajmëroi më 16 mars se do ta pastronte Rusinë nga “tradhtarët” që ai akuzon se punojnë fshehurazi për SHBA-në dhe aleatët e saj.

Javën e kaluar, Arkady Dvorkovich, i cili ishte këshilltar i lartë ekonomik i Dmitry Medvedevit gjatë presidencës së tij dhe zëvendëskryeministër deri në vitin 2018, dha dorëheqjen si kreu i fondit të teknologjisë “Skolkovo” të mbështetur nga shteti pasi dënoi pushtimin. Dvorkovich, i cili është gjithashtu president i Federatës Ndërkombëtare të Shahut, është një nga disa ish-zyrtarë të lartë që kanë folur kundër luftës.