Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë të premten në ditën e 23-të. Sulmet e forcave ruse po vazhdojnë në shumë pjesë të këtij shteti, derisa qindra njerëz, në mesin e të cilëve edhe fëmijë janë vrarë deri tani. Palët ukrainase dhe ruse kanë zhvilluar disa runde bisedimesh, por pa ndonjë rezultat
23:58 - Mbi 9000 civilë janë evakuuar të premten nëpërmjet korridoreve humanitare
Sipas një postimi në Telegram nga Kyrylo Tymoshenkos, nga Zyra e Presidentit të Ukrainës, thuhet se afro 5000 qytetarë janë evakuuar nga Mariupoli, që po vazhdon të sulmohet nga forcat ruse.

23:52 - OKB-ja dërgon konvojin e parë të ndihmës urgjente në Sumy
Kombet e Bashkuara thonë se sapo kanë dorëzuar paketën e parë të furnizimeve humanitare në Sumy.
Mijëra civilë janë larguar nga qyteti i rrethuar veri-lindor ditët e fundit, por shumë të tjerë kanë mbetur.

19:58 - Bideni ia përshkroi “pasojat” Xi nëse Kina ndihmon Rusinë
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i përshkroi presidentit të Kinës, Xi Jinping, në një telefonatë të sotme "implikime dhe pasoja" nëse Pekini ofron mbështetje materiale për Rusinë ndërsa ajo sulmon qytetet dhe civilët ukrainas, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, shkruan CNN.
19:34 - Zyrtari amerikan: Forca ruse kanë mbetur kryesisht të bllokuara
Forcat ruse "mbeten kryesisht të bllokuara në të gjithë Ukrainën, por kanë rreth 90% të fuqisë së tyre luftarake të mbledhur ende në dispozicion", thotë një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, shkruan BBC të premten.
19:25 - Macron shprehu shqetësimin për Mariupolin në telefonatën me Putinin
Presidenti francez Emmanuel Macron i tha të premten presidentit rus Vladimir Putin se ishte shumë i shqetësuar për situatën në Mariupol, qyteti ukrainas që është goditur nga granatimet e vazhdueshme gjatë ditëve të fundit, sipas një njoftimi nga Presidenca franceze.
19:06 - Të paktën 3 raketa u rrëzuan nga mbrojtja ajrore në Vinnytsia të premten, thonë autoritetet civile
Të paktën tre raketa u rrëzuan nga mbrojtja ajrore në qytetin qendror të Ukrainës, Vinnytsia, të premten në mëngjes, njoftoi kreu i luftës dhe administratës civile të Vinnytsia, shkruan CNN.
Vinnytsia është përballur me sulme me raketa në rritje nga forcat ruse. Kulla televizive dhe aeroporti i qytetit janë goditur nga sulmet ajrore në dy javët e fundit, sipas autoriteteve ukrainase.
18:56 - Ukraina përgënjeshtron Rusinë për përparim në negociata
Negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak ka thënë në një njoftim në Twitter se qëndrimet e shtetit që ai përfaqëson nuk kanë ndryshuar në raport me Rusinë.
18:17 - Luftimet arrijnë në qendër të Mariupolit
Kryebashkiaku i Mariupolit, Vadym Boichenko, ka njoftuar se luftimet kanë arritur në qendër të qytetit, raporton BBC.
17:45 - Rusia thotë se po bëhet përparim në negociata me Ukrainë
Rusia pretendon se është duke u bërë përparim në negociata me Ukrainën.
Negociatori rus Vladimir Medinsky ka thënë se Moska e Kievi “janë në gjysmë të rrugës” për të arritur marrëveshje në çështjet si demilitarizimi dhe neutraliteti i Ukrainës. Këtu përfshihet edhe heqja dorë nga anëtarësimi në NATO, raporton agjencia ruse e lajmeve “Interfax”.

16:11 - Lavrov paralajmëron: Do të shënjestrojmë çdo dërgesë të armëve që futet në Ukrainë
Lavrov ka shtuar se sistemet mbrojtëse sovjetike apo të prodhuara në Rusi, të cilat i kanë në dispozicion disa shtete të NATO-s, nuk mund të transferohen legalisht në një shtet të tretë.

16:06 - Zelensky: Granatimet ruse po pengojnë evakuimin në Mariupol
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se bombardimet ruse po i pengojnë autoritetet në qytetin jugor të rrethuar të Mariupolit të krijojnë korridoret humanitare.
14:25 - KB: 816 civilë janë vrarë në Ukrainë deri tash
Në tri javët e pushtimit rus, të paktën 816 civilë janë konfirmuar se kanë vdekur, raporton SkyNeës.
Kjo shifër mund të jetë më e lartë, pasi Zyra e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara përfshin vetëm vdekjet e konfirmuara.
Administrata shtetërore e Kievit njoftoi të premten më herët se numri i të vrarëve në kryeqytet është 222.
12:56 - Më shumë se 200 njerëz janë vrarë deri më tani vetëm në Kiev
Administrata e qytetit të Kievit ka bërë të ditur të premten se numri total i të vrarëve në kryeqytet, që kur ka nisur pushtimi më 24 shkurt, është 222.
Sipas kësaj administrate, në mesin e të vrarëve janë 60 civilë, prej të cilëve 4 fëmijë, raporton Sky News.
Kryeqyteti është goditur edhe të premten në mëngjes nga raketat ruse, ku për pasojë, një person ka vdekur ndërkaq shumë ndërtesa janë shkatërruar.
Rusia e ka parë Kievin si tragetin kryesor, me shpresën për të rrëzuar qeverinë aktuale dhe për të instaluar një version kukull – por forcat e saj janë bllokuar nga problemet logjistike dhe mbrojtja e ashpër nga ukrainasit.

12:53 - 130 persona shpëtohen nga teatri i bombarduar në Mariupol, qindra të bllokuar ende
130 persona janë shpëtuar deri tash nga rrënojat e teatrit të goditur nga raketa ruse në Mariupol, ka thënë përfaqësuesja e të drejtave të njeriut në Ukrainë, Lyudmyla Denisova, raporton të premten BBC.
Qindra persona po strehoheshin kur teatri u bombardua nga Rusia, duke e copëtuar ndërtesën, sipas autoriteteve ukrainase.
Në një adresim televiziv, Denisova ka thënë se puna e shpëtimit po vazhdon aty dhe janë ende 1300 persona në bodrum.
11:59 - Putini i thotë Scholzit se Kievi po përpiqet t'i bllokojë negociatat
Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë kancelarit gjerman Olaf Scholz gjatë një telefonate të premten se Kievi po “tenton të shtyjë bisedimet” me Rusinë, por se Moska është ende e përkushtuar për vazhdimin e negociatave, raporton The Guardian.
“U vu re se regjimi i Kievit po përpiqet në çdo mënyrë të shtyjë procesin e negociatave, duke vënë përpara herë pas here propozime jorealiste”, ka thënë Kremlini.
“Megjithatë, pala ruse është e gatshme të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje në linjë me qasjet e saj të njohura parimore”.

11:50 - Zinxhiri i furnizimit me ushqim në Ukrainë po shpërbëhet
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka bërë të ditur se zinxhiri i furnizimit me ushqime i Ukrainës "po shpërbëhet", me një pjesë të infrastrukturës të shkatërruar dhe shumë dyqane ushqimore dhe depo tanimë bosh.
Jakob Kern, koordinatori i Emergjencave të këtij Programi për krizën në Ukrainë, shprehu gjithashtu shqetësim për situatën në qytetet e rrethuara si Mariupol, duke thënë se furnizimet po mbaronin dhe se autokolonat e saj nuk kishin mundur ende të hynin në qytet.
Mariupoli është një prej qyteteve më të shkatërruara si pasojë e sulmeve të vazhdueshme ruse atje.
11:10 - Një i vrarë nga bombardimet mbi apartamentet dhe objektet arsimore
Një person është vrarë dhe 11 janë lënduar pasi raketa ruse goditi një institucion të edukimit të lartë dhe ndërtesa të civilëve në Kharkiv, kanë njoftuar shërbimet emergjente ukrainase të premten.
Sulmi dëmtoi ndërtesën gjashtë-katëshe të edukimit, bashkë me dy blloqe apartamentesh.
Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin dhe po punojnë përmes rrënojave që ta nxjerrin një person që ka ngecur aty.
Raportohet edhe për bombardimin e fabrikës së riparimit të avionëve në Lviv.

11:03 - Dy të vdekur nga sulmi mbi një ndërtesë banimi në Kramatorsk
Dy persona kanë mbetur të vdekur të premten si pasojë e granatimeve në qytetin lindor të Ukrainës, Kramatorsk, raporton BBC.
Guvernatori rajonal, Pavlo Kryrlenko, ka thënë se gjashtë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, nga sulmi në ndërtesën e banimit.
Ai ka shpërndarë pamjet e një zjarri të madh të shkaktuar si pasojë e bombardimit të ndërtesës.

09:56 - Ukraina po poshtëron Rusinë në fushën e betejës, thotë eksperti ushtarak
09:35 - Një i vrarë pasi mbetjet e një rakete ranë në një ndërtesë banimi në Kiev
Një person ka vdekur dhe katër të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri në një ndërtesë banimi në lagjen Podilskyi të Kievit të premten, ka bërë të ditur Shërbimi i Urgjencës i Ukrainës, raporton CNN.
Zjarri shpërtheu pasi mbetjet e një rakete të rrëzuar ruse goditën ndërtesën pesëkatëshe, ka thënë shërbimi.
“Raporti fillestar për një zjarr u dha në 8:04 të mëngjesit me orën lokale. Pas mbërritjes, zjarrfikësit panë se kishte një zjarr nga kati i parë deri në katin e tretë. Zjarri është duke u shuar për momentin”, ka bërë të ditur ky shërbim.
Sipas informacioneve paraprake, 12 persona janë shpëtuar derisa 98 janë evakuuar.

09:11 - Sulmohet depoja e armëve në Mykolaiv
Në Voznesenk të rajonit ukrainas të Mykolaivit një depo ku armë po mbaheshin, raportohet se është goditur nga sulmet ruse të premten, sipas Ukraine 24 e cila citon kryetarin e qytetit.
Nuk ka informacione të tjera për dëmet apo nëse ka pasur viktima.
08:53 - Ukraina pretendon se mbi 14 mijë ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës
Ministria e mbrojtjes e Ukrainës ka thënë në përditësimin e saj në Facebook të premten, se rreth 14,200 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit, raporton BBC.
08:40 - Rusia ka bërë përparim minimal këtë javë, thotë Ministria britanike e Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se forcat ruse kanë bërë "përparim minimal këtë javë" në Ukrainë, raporton të premten BBC-ja.
Përmbledhja e tyre e fundit lidhur me situatën në Ukrainë vë në dukje se forcat ukrainase rreth Kievit dhe Mykolaiv "vazhdojnë të pengojnë përpjekjet ruse për të rrethuar qytetet".
Ajo thekson se Kharkiv, Chernihiv, Sumy dhe Mariupol mbeten të rrethuar nga forcat ruse dhe kanë përjetuar granatime të rënda.
Ndërkohë, mëngjesin e së premtes Rusia ka hedhur raketa në një ndërtesë në qytetin Lviv, pak kilometra larg kufirit Ukrainë-Poloni.
Deri më tani nuk raportohet për pasoja në njerëz si pasojë e këtij sulmi.

08:01 - Nuk raportohet për viktima nga sulmi rus në Lviv
Deri më tani nuk është është raportuar për viktima pasi një ndërtesë në Lviv, shumë afër kufirit Ukrainë-Poloni u godit mëngjesin e së premtes nga disa raketa, ka thënë kryebashkiaku i qytetit, Andriy Sadovyi në një postim në Telegram.
Ndërtesa është identifikuar si një fabrikë për mirëmbajtjen e avionëve.
Kryebashkiaku Sadovyi ka thënë se puna aktive në uzinë ishte ndalur më parë.
Ai shtoi se ekipet e shpëtimit janë aktualisht në vend.

07:56 - Rusia vendos zonë ndalim-fluturimi mbi rajonin e Donbasit të Ukrainës
Një zyrtar separatist pro-rus në Donetsk ka thënë se është krijuar një zonë ndalim-fluturimi mbi rajonin e Donbasit, sipas një agjencie ruse të lajmeve të premten, përcjellë Sky News.
07:49 - Korridore humanitare pritet të hapen të premten në rajonin e Sumyt
Sumy mund të shohë korridoret humanitare të hapura të premten
Kryetari i rajonit Sumy, në verilindje të Ukrainës, ka postuar detaje në lidhje me korridoret e mundshme humanitare që mund të hapen të premten në rajon, raporton BBC.
Autobusët dhe furgonët do të dërgohen në qytete për të ndihmuar transportin e njerëzve, derisa ka gjashtë rrugë të ndryshme, të cilat të gjitha të çojnë në Poltava në Ukrainën qendrore.
Sumy, i cili është afër kufirit rus dhe vijës së frontit, ka përjetuar granatime të rënda, me energji dhe ujë të ndërprerë javët e fundit.
07:38 - Bien sirenat, Rusia nis sulmet shumë afër kufirit Ukrainë-Poloni
Sirenat e sulmeve ajrore po tingëllojnë në zona të shumta në të gjithë Ukrainën perëndimore mëngjesin e së premtes.
Sipas agjencisë kombëtare të lajmeve Ukrinform, raporton BBC, sirenat po bien në rajonet Rivne, Volyn, Lviv, Ternopil dhe Ivano-Frankivsk.
Ndërkohë, janë dëgjuar edhe shpërthime në pjesë të ndryshme të qytetit të Lviv, në Ukrainën perëndimore rreth orës 6:30, sipas kohës lokale.