Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, nuk ka pranuar të tregojë nëse presidenti amerikan, Joe Biden, do të udhëtojë në Poloni, siç është raportuar nga disa media, kur ai të vizitojë Evropën për samitin e NATO-s më 24 mars.
Ajo madje nuk ka treguar nëse Bideni do të takohet me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se janë duke punuar në lidhje me këtë udhëtim, por nuk ka shumë detaje deri në këtë moment.
"Jemi ende duke punuar për detajet përfundimtare të udhëtimit dhe se si mund të duket, por nuk kam më shumë detaje në këtë moment", ka thënë Psaki gjatë konferencës për shtyp të Shtëpisë së Bardhë të martën.
Ajo ka shtuar se objektivi i presidentit është të takohet personalisht, ballë për ballë me homologët e tij evropianë dhe të bisedojë dhe të vlerësojë se ku janë në këtë pikë të konfliktit, në pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
"Ne kemi qenë jashtëzakonisht të lidhur deri më sot, kjo nuk ndodh rastësisht," shtoi ajo. "Presidenti i beson një diplomacie ballë për ballë, kështu që është një mundësi për të bërë pikërisht këtë", raporton CNN.
Psaki nuk pranoi të jepte detaje nëse Bideni do të takohej me presidentin ukrainas, teksa ka thënë se nuk ka "asgjë në tryezë në këtë moment në kohë".
“Fokusi i vërtetë tani është takimi me partnerët e NATO-s në Bruksel. Nëse ka hapa shtesë, ne do t'i ndajmë të gjitha ato detaje me të gjithë ju”, ka përfunduar ajo.