Përdorimi i armëve kimike nga Rusia në Ukrainë mund ta shtyjë NATO-n të rishqyrtojë vendimin e saj për të mos ndërhyrë ushtarakisht në konflikt, ka thënë presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.
Në një intervistë për BBC-në, Duda tha se beson që presidenti rus, Vladimir Putin, mund të përgatitej të përdorte armë kimike dhe se nuk është i befasishëm asnjë veprim i tij.
"Kjo është diçka që bota nuk e ka parë në këtë shkallë që nga Lufta e Dytë Botërore. Nëse po më pyesni nëse Putini mund të përdorë armë kimike, unë mendoj se Putini mund të përdorë çdo gjë tani, veçanërisht kur është në këtë situatë të vështirë. Politikisht, ai tashmë e ka humbur këtë luftë, dhe ushtarakisht, ai nuk po e fiton atë”, ka thënë Duda.
I pyetur nëse ndonjë përdorim i tillë mund të nxiste një ndërhyrje të NATO-s, ai tha: “Sigurisht, të gjithë shpresojnë se ai nuk do të guxonte ta bënte këtë. Por, nëse ai përdor armë të shkatërrimit në masë, kjo do të ishte një ndryshim i lojës për të gjithë”.
Sipas tij, NATO duhet të ulet në tryezë dhe të mendojë seriozisht se si të veprohet, sepse situata mund ta rrezikojë jo vetëm Evropën, por të gjithë botën.