Në Moskë, disponimi është i zymtë mes shumë rusëve. Pushtimi i Ukrainës – për të cilin Kremlini këmbëngul se duhet të quhet ‘operacion special ushtarak’ – ka rezultuar në sanksione të ashpra perëndimore, të cilat po godasin rëndë ekonominë, shkruan BBC.
Ndikimi te rusët e zakonshëm tashmë po ndihet.
Monedha e Rusisë, rubla, është rrëzuar dhe çmimet për një gamë të tërë mallrash dhe shërbimesh po rriten me shpejtësi - përfshirë udhëtimet jashtë vendit.
Udhëtimi jashtë Rusisë tani është shumë më i vështirë – SHBA-ja, BE-ja dhe të tjerët kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë. Mijëra rusë të rinj dhe të arsimuar tashmë janë larguar nga vendi.
Disa supermarkete të mëdha ruse po kufizojnë numrin e mallrave bazë që njerëzit mund të blejnë në të njëjtën kohë. Në një dyqan shihej një njoftim ku thuhej: 'Vetëm një qese 5 kg sheqer për person'. Qeveria thotë se kjo është për të kufizuar marrëveshjet në tregun e zi dhe inflacionin.
Lista e kompanive perëndimore që tërhiqen nga Rusia rritet gjithnjë e më shumë. Në qendrat tregtare në qendër të Moskës, shumë dyqane perëndimore janë të mbyllura; të tjerët nuk mund të pranojnë pagesa me kartel.
Para pushtimit, Moska ishte një nga qytetet më të avancuara teknologjikisht dhe të lidhura mirë në botë – me një sistem të klasit të parë të shërbimeve të transmetimit, pagesave në internet, shërbimeve teknologjike dhe digjitale. Përdorimi i parave të gatshme ishte i rrallë. Por me kompani të tilla si Apple, Visa dhe Netflix që kufizuan ose janë mbyllur në Rusi, këto shërbime janë duke u ndalur.