Botë

Vatikani i gatshëm të lehtësojë bisedimet Ukrainë-Rusi

Vatikani është shprehur i gatshëm "të lehtësojë" dialogun midis Ukrainës dhe Rusisë për t'i dhënë fund luftës, ka thënë të hënën Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin.

Parolin, i cili është zyrtari numër një i Vatikanit pas Papa Françeskut, i tha gazetës italiane Corriere della Sera se ai beson se ka ende dhe gjithmonë vend për negociata. “Asnjëherë nuk është vonë”, raporton CNN.

Ai shtoi se Vatikani ka ndjekur me "vëmendje të madhe ngjarjet në Ukrainë" dhe se ofron "gatishmërinë e tij për të lehtësuar dialogun me Rusinë, është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë palët për të rifilluar këtë rrugë".

Papa Françesku foli edhe një herë të dielën mbi konfliktin gjatë lutjes së tij javore Angelus dhe u kërkoi besimtarëve të luten dhe ftoi të gjithë "të bëjnë 2 marsin, të mërkurën e hirit, një ditë lutjeje dhe agjërimi për paqen në Ukrainë".