Një grua 31-vjeçare nga Bjellorusia ka vdekur pasi u ndoq nga një ari në veri të Sllovakisë, kanë thënë zyrtarët, shkruan BBC.
Shërbimi i Shpëtimit Malor Sllovak ka thënë se trupi i gruas ishte nxjerrë nga pylli në malet Tatras të Sllovakisë të premten në mbrëmje.
Ajo ka qenë duke ecur me një burrë kur u sulmuan nga një ari.
Sipas dëshmisë së burrit, ai dhe gruaja janë larguar në drejtime të ndryshme. Zona ka pyje të dendur dhe lugina të thepisura.
Trupi i gruas u zbulua nga një qen kërkimi pak pasi shoqëruesi i saj kërkoi ndihmë.
Ariu ishte ende afër, por u frikësua nga të shtënat paralajmëruese me armë nga Shërbimi i Shpëtimit Malor.
Mbetet e paqartë se si vdiq gruaja - nëse ajo u rrëzua apo u kafshua nga ariu.
Zëvendësministri i Mjedisit ka thënë se nëse ajo do të kishte vdekur nga kafshimi i ariut, autoritetet do ta bënin menjëherë publik këtë informacion dhe nuk do ta fshihnin.
Sllovakia, bashkë me Rumaninë do të paraqesin para Bashkimit Evropian një propozim për të riklasifikuar arinjtë në listën e specieve të mbrojtura, pasi numri i tyre nënkupton se ata nuk janë më të rrezikuar dhe mund të asgjësohen në mënyrë selektive.
Arinjtë janë të zakonshëm në të gjithë vargun malor të Karpateve, që shtrihen nga Rumania në Ukrainën perëndimore deri në Sllovaki dhe Poloni.