Botë

31 të vdekur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës

Lufta ne Gaza

Foto: Associated Press

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 31 persona në Rripin e Gazës, përfshirë 11 në një kafene të improvizuar në një zonë humanitare të shpallur nga Izraeli, thanë zyrtarët mjekësorë. 

Në Liban, avionë luftarakë goditën periferitë jugore të kryeqytetit Bejrut të martën pasi ushtria paralajmëroi njerëzit të evakuonin një numër shtëpish, raporton AP.

Bombardimi i ri në të dy frontet vjen në prag të një afati të caktuar nga Shtetet e Bashkuara për Izraelin për të rritur në mënyrë dramatike ndihmën humanitare të lejuar në Gaza ose në të kundërtën do të rrezikojë kufizime të mundshme në fondet ushtarake të SHBA. 

Një grup prej tetë agjencish ndërkombëtare të ndihmës thanë në një raport të martën se Izraeli nuk ka arritur të përmbushë kërkesat e SHBA-së.

Në Liban, shpërthime të mëdha tronditën periferitë jugore të Bejrutit, një zonë e njohur si Dahiyeh, ku Hezbollahu ka një prani të konsiderueshme, menjëherë pasi ushtria izraelite lëshoi paralajmërime evakuimi për 11 shtëpi atje.

Ushtria izraelite ka thënë se shtëpitë përmbanin instalime të Hezbollahut.

Të hënën vonë në mbrëmje, një sulm goditi fshatin Ain Yaacoub në veri të Libanit, duke vrarë të paktën 16 persona, ka bërë të ditur mbrojtja civile libaneze. Katër nga të vrarët ishin refugjatë sirianë dhe 10 të tjerë u plagosën.

Izraeli ka kryer bombardime të intensifikuara të Libanit që nga fundi i shtatorit, duke u zotuar se do të gjymtojë Hezbollahun dhe do t'i japë fund sulmeve ndërkufitare prej më shumë se një viti nga grupi militant libanez.