Tërheqja e ambasadorit ka ndodhur pasi që Franca bëri të ditur se do të zbatojë politika të zero tolerancës kundruall Britanisë dhe do ta bllokojë qasjen për secilën prej anijeve të saj, derisa vendi të mos ua ndajë licencat e reja peshkatarëve francezë
Qeveria e Britanisë së Madhe ka njoftuar të enjten se do të tërheqë në Londër ambasadorin francez, në shenjë proteste ndaj veprimeve të Francës në kuadër të përplasjes rreth peshkimit post-Brexit.
Tensionimi më i fundit i marrëdhënieve Londër-Paris ka ndodhur pasi Ministria franceze për dete e konfirmoi ndalimin e një anijeje britanike gjatë një kontrolli të zakonshëm dhe se nuk i është lejuar peshkimi në ujërat francezë, ndërkaq një tjetër lundrakeje të tillë i është tërhequr vërejtja.
“Kam udhëzuar ministren për Evropë, Wendy Morton, që nesër ta tërheqë ambasadorin francez në Britaninë e Madhe për bisedime, me qëllim që t’i shpjegojë kërcënimet zhgënjyese dhe joproporcionale të bëra kundër Britanisë dhe ishujve Channel”, ka thënë sekretarja e Jashtme, Liz Truss, raporton agjencia franceze e lajmeve “France24”.
Tërheqja e ambasadorit ka ndodhur pasi që Franca bëri të ditur se do të zbatojë politika të zero tolerancës kundruall Britanisë dhe do ta bllokojë qasjen për secilën prej anijeve të saj, derisa vendi të mos ua ndajë licencat e reja peshkatarëve francezë.
“I përmbahem faktit se ne kemi ndjekur dialogun deri më tani, kemi marrë gjysmën e licencave të peshkimit sot, por kjo nuk është e mjaftueshme dhe nuk është e pranueshme”, ka thënë Clément Beaune, ministër francez për Evropë, duke folur për “CNews TV”, raporton “France24”. “Andaj tani, duhet që të flasim me gjuhën e forcës meqë kjo duket të jetë e vetmja që Qeveria britanike e kupton”, ka shtuar Beaune.
Franca ka protestuar vrullshëm ndaj vendimit të muajit të shkuar nga Britania e Madhe dhe Ishujt Channel në Jersey, për t’ua refuzuar me dhjetëra anijeve franceze të peshkimit licencat për operim në ujërat e tyre territorialë.
Shteti francez pretendon se kufizimet janë në kundërshtim me marrëveshjen post-Brexit, që Qeveria britanike e nënshkroi kur u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.
Pas disa javësh negociata, autoritetet britanike lëshuan më shumë licenca peshkimi porse numri ende nuk përkon me shifrën prej 50 për qind që Franca beson se është adekuate, ka theksuar të enjten zëdhënësi i Qeverisë franceze, Gabriel Attal.
Për këtë arsye, Franca është kërcënuar me pengesa tregtare që nga 2 nëntori, po qe se anijeve të saj nuk u garantohet qasje më e madhe në ujërat britanike.
Masat që vënë në shënjestër eksportet britanike të peshkut do të përfshijnë “kontrollimet sistematike doganore dhe sanitare mbi produktet e sjella në Francë, si dhe ndalesën për zbarkimin e ushqimit të detit”, ka thënë Attal para gazetarëve, raporton media franceze.
Në anën tjetër, autoritetet britanike kanë thënë të enjten se kërcënimi francez për bllokimin e anijeve britanike nga portet vendore përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe janë zotuar për masa hakmarrëse po qe se Parisi e jetëson paralajmërimin.
“Kërcënimet e Francës janë zhgënjyese dhe joproporcionale, dhe nuk janë veprimi që do të prisnim prej një aleati dhe partneri të afërt”, thuhet në njoftimin e Qeverisë në Londër.