Anëtari serb i Presidencës 3-anëtarëshe të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka shpalosur planin që sipas tij, do t’ia kthejë sovranitetin Republika Srpskas.
Dodik dha sot një konferencë për media ku shpalosi planin për defunksionalizimin e institucioneve kyç të Bosnjës. Mediat në Bosnjë e kanë quajtur këtë paraqitje si më radikalen të Dodikut deri më tash.
Dodik tha se Republika Srpska do të tërheq pëlqimin për tri institucione të rëndësishme shtetërore, si për ekzistencën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, Forcat e Armatosura të Bosnjës dhe Autoritetim e Taksave Indirekte. Më pas ka paralajmëruar edhe heqjen e juridiksionit të SIPA-s (Agjencisë Shtetërore të Sigurisë dhe Investigimit) mbi Republika Srpskan dhe krijimin e agjencisë së saj të inteligjencës.
"Kjo nuk është asgjë radikale, nuk është plan për cenimin e integritetit territorial të Bosnjës, por po, është për kthimin sovranitetit të Republika Sprskas”, ka thënë Dodik, përcjell Klix.ba.
Kohëve të fundit, që prej kur Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnjë e ktheu në ligj, si të dënueshëm mohimin e gjenocidit, situata mes serbëve, boshnjakëve e kroatëve është tensionuar. Presidenca 3-anëtarëshe e Bosnjës më nuk po arrin të merr asnjë vendim, pasi mungon prezenca e përfaqësuesit serb, në këtë rast e Dodikut.
Opozita në Republika Srpska nuk i ka dhënë përkrahje Dodikut në planin e tij, e që është shkëputja e kësaj pjese nga Bosnjë-Hercegovina.