Një grua 29-vjeçare holandeze, të cilës i është aprovuar kërkesa për të vdekur përmes eutanazisë, pritet t’i japë fund jetës në javët e ardhshme, duke nxitur debat të madh në të gjithë Evropën mbi këtë çështje, shkruan The Guardian.
Zoraya ter Beek mori aprovimin javën e kaluar pasi kërkesën e kishte bërë para tre vjet e gjysmë. E bëri kërkesën shkaku i “vuajtjeve të padurueshme mendore”.
Rasti i saj ka shkaktuar polemika pasi vdekja e asistuar për njerëzit me sëmundje psikiatrike në Holandë mbetet e pazakontë, megjithëse shifrat janë në rritje. Në vitin 2010, kishte dy raste, në vitin 2023 kishte 138 apo 1.5 për qind e 9068 vdekjeve nga eutanazia.
Rasti i Ter Beekut u bë i njohur në prill. Shkaktoi protesta, me njerëzit që bënin thirrje kundër lejimit të vdekjes nga eutanazia.
Ter Beek e kupton që vdekja e asistuar është e diskutueshme nëse duhet të jetë e ligjshme.
“Njerëzit mendojnë se kur je i sëmurë mendor, nuk mund të mendosh drejt, gjë që është fyese. E kuptoj frikën që kanë disa njerëz me aftësi të kufizuara për vdekjen e asistuar dhe shqetësimet për njerëzit që janë nën presion për të vdekur. Por në Holandë, ne e kemi këtë ligj për më shumë se 20 vjet. Ka rregulla vërtet strikte, dhe është e sigurt”, ka thënë ajo.
Sipas ligjit holandez, për t'u kualifikuar për një vdekje të asistuar, një person duhet të përjetojë “vuajtje të padurueshme pa asnjë perspektivë përmirësimi”.