Botë

Vendimi i dënimit të gjenocidit ngjall reagime në Bosnjë

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë ka përdorur kompetencat e Bonit për të ndaluar dhe dënuar mohimin e gjenocidit në shtetin ballkanik. Ai e mori këtë vendim, pak ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnjë

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, duke ndaluar dhe dënuar mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës.

Kompetencat e Bonit i japin atij të drejtë për të shtyrë përpara vendime, për të cilat akterët e tjerë politikë nuk shfaqin vullnet t’i realizojnë. Inzko e mori këtë vendim, disa ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnjë. Në një letër, Inzko ka thënë se mohimi i gjenocidit parandalon shoqëritë nga përballja me të kaluarën.

“Së pari theksoj se pajtimi nuk mund të ndodhë pa njohjen e krimeve dhe pa përgjegjësi. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, parandalojnë shoqëritë nga përballja me të kaluarën e tyre kolektive, përfaqësojnë poshtërim të përsëritur të viktimave dhe të dashurve të tyre, dhe në të njëjtën kohë zgjasin padrejtësinë dhe rrezikojnë marrëdhëniet paqësore shoqërore”, thuhet në letrën në të cilën Inzko ka arsyetuar vendimin e tij.

Përfaqësuesi i lartë deklaroi se mohimi i gjenocidit dhe mohimi i krimeve të tjera të luftës janë veçanërisht të rrezikshme në një vend si Bosnja, e cila në të kaluarën e saj të afërt ka përjetuar fushata të tmerrshme të spastrimit etnik dhe krimeve masive të kryera gjatë një konflikti brutal dhe të përgjakshëm.

“Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së paqes të Dejtonit, Bosnja është ende një shoqëri e copëtuar që po lufton ende me trashëgiminë e së kaluarës. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës janë dukuri të shpeshta në ligjërimin politik, pavarësisht vendimeve të institucioneve gjyqësore ndërkombëtare”, thuhet në letrën e Inzkos.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Millorad Dodikut, anëtarit serb të presidencës trepalëshe të Bosnjës. Ka insistuar se në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocid.

Republika Serbe e Bosnjës hedh poshtë vendimin. Në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid, këtë e thotë komisioni ndërkombëtar, që sapo e ka paraqitur raportin. Këtë e thonë edhe shumë faktorë relevantë. Fakti që po mundohen kësisoj të imponojnë këtë narracion, tregon se gjenocidi është i dyshimtë. Serbët nuk guxojnë ta pranojnë këtë vendim, kjo është një gozhdë e ngulur në arkivolin e Bosnjë-Hercegovinës. Pas kësaj, Bosnjë-Hercegovina nuk mund të funksionojë. Do të thërrasim një seancë të Asamblesë së Republika Sërpskës javën e ardhshme”, ka thënë Millorad Dodiku, anëtari serb i presidencës së Bosnjës.

Ndërkaq, kryetarja e Bordit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko, e ka përshëndetur atë, duke propozuar që një vendim i tillë të shtrihet edhe jashtë kufijve të Bosnjës.

“Një gjë e tillë ka ardhur me vonesë, por më mirë tani sesa kurrë, duke pasur parasysh se sa larg ka shkuar mohimi i gjenocidit dhe gjithçkaje që ka ndodhur në Bosnjë nga Republika Serbe e Bosnjës, por edhe Serbia. Hapi i radhës është që edhe Serbisë t’i imponohet ndalesa e tillë, pasi që është e vetmja mënyrë që i tërë rajoni në mënyrë objektive ta perceptojë se çfarë ka ndodhur në vitet nëntëdhjetë”, ka theksuar Biserko.

Ndryshimet në Kodin Penal u bënë vetëm dy javë pasi në Srebrenicë u varrosën mbetjet e 19 viktimave në 26-vjetorin e gjenocidit në Bosnjë.

Vrasjet në Srebrenicë ishin kulmi i përplasjes së përgjakshme të përshkallëzuar në luftën ndërmjet tri fraksioneve të mëdha etnike – serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve – gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Më shumë se 100 mijë persona u vranë në konflikt para arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit më 1995.

Së fundmi, edhe Kuvendi i Kosovës ka aprovuar rezolutën me të cilën e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.