Botë

27 të vrarë, përfshirë 14 fëmijë, nga një sulm izraelit në një shkollë në Gazë

Sulmet ne Gaza

Foto: Arkiv

Foto: Associated Press

Sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 100 persona të enjten, duke përfshirë 27 apo më shumë që ishin të strehuar në një shkollë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. 

Trupat e 14 fëmijëve dhe 5 grave janë nxjerrë nga shkolla në lagjen Tuffah në qytetin e Gazës dhe numri i viktimave mund të rritet sepse disa nga 70 të plagosurit janë në gjendje të rëndë, sipas zyrtarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Zaher al-Wahidi, raporton AP. 

Më shumë se 30 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulme në shtëpitë e lagjes Shijaiyah, shtoi ai, duke cituar regjistrin e spitalit Ahli.

Sulmet ndodhën si pjesë e një ofensive që ushtria izraelite thotë se ka për qëllim rritjen e presionit ndaj grupit militant islamik Hamas dhe ta dëbojë atë përfundimisht. 

Ushtria izraelite deklaroi se ka goditur një “qendër të komandës dhe kontrollit të Hamasit”, në zonën e qytetit të Gazës, dhe se ka marrë masa që të ulë dëmtimin e civilëve. Izraeli e dha të njëjtin arsyetim – goditjen e militantëve të Hamasit në një “qendër komandime dhe kontrolli” – për sulmin në ndërtesën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që përdorej si vendstrehim një ditë më parë, duke vrarë të paktën 17 persona. 

Hamasi e ka quajtur sulmin ndaj shkollës si masakër ndaj civilëve të pafajshëm. 

Sulmet erdhën derisa ushtria izraelite ka urdhëruar më shumë banorë në pjesët veriore të Gazës të lëvizin në strehimoret në jug dhe perëndim, duke paralajmëruar se planifikonte të “përdorte forcë ekstreme në atë zonë”. Një numër i palestinezëve që u larguan nga zonat e caktuara në këmbë, derisa bartin gjërat personale.

Izraeli ka lëshuar urdhra të prerë të evakuimit për pjesë të Gazës veriore para operacioneve të pritura tokësore. Zyra humanitare e OKB-së deklaroi se rreth 28,000 palestinezë janë zhvendosur që kur Izraeli i ka dhënë fund armëpushimit muajin e kaluar. 

Urdhrat për evakuime të reja vijnë pasi zyrtarë të lartë të qeverisë thanë se Izraeli do të marrë nën kontrolle pjesë të mëdha të territorit palestinez dhe rreth asaj të krijoj një korridor të ri të sigurisë. Për t’i bërë presion Hamasit, Izraeli ka vendosur një bllokadë një mujore në ushqim, karburante dhe ndihmë humanitare që i ka lënë civilët me mungesa derisa furnizimet harxhohen – një taktikë që grupet e të drejtave thonë se është një krim lufte. 

Hamasi deklaron se do të lirojë 59 pengjet e mbetur – 24 prej të cilëve besohet e janë të gjallë – në këmbim të lirimit të më shumë të burgosurve palestinez, një armëpushimi të qëndrueshëm dhe tërheqje e Izraelit nga Gaza. Grupi ka refuzuar kërkesat që t’i dorëzojë armët apo të largohet nga territori. 

Sulmet gjatë natës nga Izraeli kanë vrarë të paktën 55 persona në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësor. 

Në qytetin jugor të Khan Younisit, zyrtarët deklaruan se trupat e 14 personave janë dërguar në spitalin Nasser – nëntë nga ta nga e njëjta familje. Të vdekurit përfshinë pesë fëmijë dhe katër gra. Trupat e 19 personave të tjerë, që përfshinë pesë fëmijë të moshës nga 1 deri në 7 vjet dhe një grua shtatzënë, janë dërguar në spitalin evropian afër Khan Younisit, sipas zyrtarëve të spitalit. Në qytetin e Gazës, 21 trupa janë dërguar në spitalin Ahli, duke përfshirë edhe 7 fëmijë.