Gaza qendrore ka qenë cak i një sulmi ajror izraelit nga i cili kanë mbetur të vdekur 27 persona. Në vazhdën e luftimeve mes forcave izraelite e grupit palestinez Hamas, liderët izraelitë kanë diskutuar për situatën e pasluftës në Gaza. Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz, ka kërcënuar se do të japë dorëheqje nëse nuk ka plan veprimi nga Izraeli
(AP) - Një sulm ajror izraelit vrau 27 persona në Gazën qendrore, kryesisht gra dhe fëmijë, teksa luftimet po vazhdojnë në të gjithë veriun e territorit.
Në anën tjetër liderët izraelitë kanë diskutuar se kush duhet ta qeverisë Gazën pas luftës.
Kryeministri Benjamin Netanyahu është përballur me kritika nga kabineti i luftës, me rivalin e tij kryesor politik, ministrin e kabinetit të luftës, Benny Gantz, që kërcënon të largohet nga qeveria nëse nuk formulohet një plan deri më 8 qershor që përfshin një administratë ndërkombëtare për Gazën e pasluftës.
“Nëse do të vazhdojmë të luftojmë krah për krah, kabineti duhet të miratojë deri më 8 qershor një plan veprimi që do të çojë në realizimin e gjashtë synimeve strategjike. Kthejini pengjet. Rrëzoni sundimin e Hamasit dhe forconi kontrollin e sigurisë izraelite për Rripin e Gazës”, ka theksuar ministri izraelit i kabinetit të luftës.
Por një plan konkret pritet që atyre t’ua prezantojë këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan.
Ai me liderët izraelitë do të diskutojë një plan ambicioz të SHBA-së që thotë se Arabia Saudite duhet ta njohë Izraelin dhe ta ndihmojë Autoritetin Palestinez për të qeverisur Gazën në këmbim të një rruge drejt shtetësisë eventuale.
Por kryeministri Netanyahu, i cili është kundër shtetësisë palestineze, paraprakisht i ka hedhur poshtë këto propozime, duke thënë se Izraeli do të mbajë kontroll të hapur të sigurisë mbi Gazën dhe partneritet me palestinezët vendës që nuk kanë lidhje me Hamasin ose Autoritetin Palestinez të mbështetur nga Perëndimi.
Tërheqja e Gantzit nuk do të rrëzonte qeverinë e koalicionit të Netanyahut, por do ta linte atë më të varur nga aleatët e ekstremit të djathtë që mbështesin “emigrimin vullnetar” të palestinezëve nga Gaza, pushtimin e plotë ushtarak dhe rindërtimin e vendbanimeve hebraike atje.
Edhe pse po bëhen diskutimet për planifikimin e pasluftës, lufta është ende e ndezur dhe nuk po shihet fundi i saj.
Në javët e fundit, Hamasi është rigrupuar në pjesë të Gazës veriore që u bombarduan rëndë në ditët e para të luftës dhe ku trupat tokësore izraelite kishin vepruar tashmë.
Palestinezët raportuan më shumë sulme ajrore dhe luftime të ashpra në Gazën veriore, e cila ka qenë kryesisht e izoluar nga trupat izraelite për muaj të tërë dhe ku Programi Botëror i Ushqimit thotë se kriza e urisë është duke u rritur.
Izraeli filloi ofensivën e tij pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit, në të cilin militantët hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke rrëmbyer rreth 250.
Lufta ka vrarë të paktën 35 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila nuk bën dallimin midis luftëtarëve dhe civilëve. Rreth 80% e popullsisë prej 2.3 milionë palestinezësh janë zhvendosur brenda territorit shpeshherë.