Botë

Mikroplastika gjendet në placentën e foshnjave të palindura

Grimca të mikroplastikës janë zbuluar për herë të parë në placentën e foshnjave ende të palindura, gjë për të cilën hulumtuesit shprehen se paraqet një shqetësim të madh.

Ndikimi shëndetësor i mikroplastikës në trup ende nuk dihet. Porse, shkencëtarët thonë se ato mund të bartin kimikate që mund të shkaktojnë dëmtime afatgjate, ose të prishin sistemin imunitar në zhvillimin e fetusit, shkruan The Guardian.

Grimcat ka gjasë që janë konsumuar ose janë bartur përmes frymëmarrjes nga nënat.

Këto grimca janë gjetur tek katër gra të shëndetshme që kishin shtatzëni dhe lindje normale.

Mikroplastikat u zbuluan në të dy anët e fetusit dhe placentës maternale dhe në membranën brenda së cilës zhvillohet fetusi.

Një dozë e grimcave të plastikës është gjetur. Derisa ishte analizuar vetëm 4 për qind e secilës placentë, duke sugjeruar kështu se numri i mikroplastikës ishte shumë i madh.

Të gjitha grimcat plastike ishin me ngjyrë të kaltër, të kuqe, portokalli ose rozë dhe mund të kenë ardhur nga paketimet, ngjyrat, produktet kozmetike dhe produktet e kujdesit personal.

Mikroplastikat kryesisht ishin në madhësi prej 10 mikronë (0.01 mm) që do të thotë se ato janë mjaftueshëm të vogla që të barten në qarkullimin e gjakut.

Grimcat gjithashtu mund të kenë hyrë edhe në trupin e foshnjave, megjithatë studiuesit nuk ishin në gjendje ta vlerësonin këtë.

“Është si të kesh fëmijë ‘Cyborg’ (foshnje gjysmë njeri-gjysmë robot): nuk përbëhet më vetëm nga qelizat njerëzore, por nga një përzierje e entiteteve biologjike dhe inorganike”, ka thënë Antonio Ragusa, drejtor i obstetrikës dhe gjinekologjisë në spitalin San Giovanni Calibita Fatebenefratelli në Romë, dhe i cili drejtoi studimin.

Ai shprehet se, “nënat u shokuan”.

Në këtë studim, të publikuar në revistën “Environment International”, hulumtuesit arritën në përfundimin se, “për shkak të rolit vendimtar të placentës në mbështetje të zhvillimit të fetusit dhe në veprimin si ndër faqe me mjedisin e jashtëm, prania e grimcave plastike potencialisht të dëmshme paraqesin një shqetësim të madh. Studime të mëtutjeshme duhet të bëhen në mënyrë që të vlerësohet nëse prania e mikroplastikave mund të nxisë përgjigje imunitare ose mund të shkaktojë çlirimin e ndotësve toksikë, duke rezultuar e dëmshme”.