Botë

25 të vdekur e 800 të plagosur nga shpërthimi në portin e Iranit

Iran

Foto: Associated Press

Të paktën 25 persona janë vrarë dhe 800 janë plagosur si pasojë e një shpërthimi masiv në një nga portet kryesore të Iranit, kanë njoftuar autoritetet.

Shpërthimi ka ndodhur në Shahid Rajaee, porti më i madh tregtar i vendit, pranë qytetit jugor të Bandar Abbas, të shtunën në mëngjes, raporton BBC.

Banorët kanë thënë se kanë ndier ndikimin e shpërthimit deri në 50 km larg. Gjashtë persona kanë mbetur të pagjetur, raportojnë mediat shtetërore.

Pamjet ajrore treguan të paktën tri zona të djegura dhe ministri i Brendshëm i Iranit më vonë ka konfirmuar se zjarri po përhapej nga një kontejner në tjetrin. Shkollat dhe zyrat në rajon janë urdhëruar të qëndrojnë të mbyllura të dielën.

Një konsulencë private e rrezikut detar ka thënë se besonte se kontejnerët e prekur kishin pasur lëndë djegëse të ngurtë të destinuar për raketa balistike.

Zjarri ishte rezultat i "trajtimit të pahijshëm të një ngarkese me karburant të ngurtë të destinuar për përdorim në raketat balistike iraniane", sipas Ambrey Intelligence.

Gazeta Financial Times kishte raportuar më parë se dy anije kishin dërguar karburant në Iran nga Kina.