Shumë ukrainas vazhdojnë të preken nga lufta gati katërvjeçare. Historitë e ukrainasve janë mbledhur për ta krijuar një kronikë të 24 orëve të jetës së civilëve, pikërisht kur vendi shënon momentin e zymtë historik të martën më 19 nëntor: 1000 ditët që nga pushtimi i plotë nga Rusia më 24 shkurt 2022
Ora në murin e saj ka ndaluar sapo nisi dita. Akrepat u ndalën për shkak të bombës ruse që goditi konviktin, i cili shërbente si shtëpi për ukrainasit e zhvendosur nga lufta.
Ishte ora 01:45 e mëngjesit në një dhomë në katin e sipërm në qytetin lindor Zaporizhzhia, shtëpia e Natalia Panasenkos për gati një vit, pasi qyteti që e mendon si shtëpi të vërtetë tashmë është nën pushtimin rus. Eksplodimi ia ka hedhur një derë sipër, ia ka prishur frigoriferin dhe televizorin dhe ia ka shkatërruar lulet, që sapo i kishte marrë për ditëlindjen e saj të 63-të.

“Shtëpia ishte e mbushur me njerëz dhe lule. Njerëzit po më uronin... dhe pastaj nuk kishte asgjë. Gjithçka ishte përzier me rrënoja”, ka thënë ajo. “Vij nga një vend ku lufta po vazhdon çdo ditë. Veç sa jemi larguar nga atje dhe dukej më qetë këtu. Dhe lufta na u afrua përsëri”.
Ukraina ka shënuar 1000 ditë që nga nisja e pushtimit të plotë nga Rusia më 24 shkurt të vitit 2022. Shteti vazhdon të vuajë e ende nuk ka gjetur lehtësim nga sulmet e Moskës.
11 nëntori ishte ditë tipike dhune dhe rezistence e ringjalljeje në Ukrainë. Ekipi i Associated Press është shpërndarë në të gjithë Ukrainën, për një kronikë të 24 orëve të jetës së ukrainasve, pikërisht kur vendi është përgatitur për të shënuar momentin e zymtë historik të martën: 1000 ditë që nga nisja e pushtimit të plotë nga Rusia më 24 shkurt 2022.

Dita ka nisur me dy bombardime ruse – një që ka goditur apartamentin e Panasenkos dhe një tjetër që ua ka marrë jetën gjashtë personave në Mykolaiv, duke përfshirë një grua dhe tre fëmijët e saj. Para se të mbërrinte mesi i ditës, një raketë balistike ruse ka goditur një ndërtesë tjetër banuese, kësaj radhe në qytetin Kryvyi Rih.

Notarët janë përballur plot guxim në ujërat e Detit të Zi në Odesë, punëtorët e çelikut e kanë shtyrë ekonominë e çalë përpara, ka lindur një foshnjë. Ushtarë kanë vdekur dhe janë varrosur. Fatlumët kanë gjetur mënyra të reja shërimi për gjymtyrët e tyre të humbura dhe fytyrat e dëmtuara.

Gati një e pesta e territorit të Ukrainës së njohur ndërkombëtarisht tani është e kontrolluar nga Rusia. Këto linja të padukshme gjeografike ndërrojnë në mënyrë konstante dhe sa më afër tyre, aq më e rrezikshme është jeta.
Në tokën e askujt mes forcave ruse dhe atyre ukrainase, gati nuk ka jetë fare. Quhet zona e hirtë për arsye të mirë. Shtëpi plot hi, drurë të djegur dhe gropa të zeza nga eksplodimi i predhave, të krijuara gjatë 1000 ditëve të luftës janë të shpërndara aq sa sytë mund të shohin.
Odesa, 06:50 e mëngjesit
Nxehtësia e ujërave të Detit të Zi sillet në rreth 13 gradë celsius në fund të vjeshtës. Bregu i detit është i minuar. Qyteti i Dmytros rregullisht shënjestrohet nga dronët dhe raketat.
Por, Dmytro – i cili ka insistuar të identifikohej vetëm me emrin e tij meqë ishte i shqetësuar për sigurinë e familjes – ishte i patrembur, teksa zhytej nëpër valë me disa nga miqtë e tij, për rutinën e tyre të notit.

Para luftës, grupi është përbërë nga dhjetëra persona. Shumë prej tyre janë larguar nga vendi. Burrat janë mobilizuar për të luftuar. Disa janë kthyer me aftësi të kufizuara, duke u detyruar të rrinë jashtë ujit. Nipi i tij 33-vjeçar, është zhdukur pas një beteje në rajonin e Donetskut.
Për Dmytron dhe notarët e tjerë, rituali i mbështet dhe e bën zymtësinë e luftës më të durueshme. Ai ka thënë se rreziqet që i vijnë bashkë me hobin, ia vlejnë. “Nëse keni frikë nga ujqërit, mos shkoni në pyll”, ka thënë ai.
Zaporizhzhia, mesditë
Menaxhimi i fabrikës së çelikut “Zaporizhstal” gjatë kohës së luftës, do të thotë ditë të mbushura me plot kalkulime për Serhii Saphonovin.
Stafi me 420 anëtarë është më pak se gjysma e niveleve të paraluftës. Ndërprerjet e rrymës nga sulmet ruse mbi infrastrukturat e elektricitetit kërkojnë “algoritëm të veprimeve” për t’i vazhduar operimet. Forcat ruse në vazhdimësi po i afrohen minierës së koksit në Pokrovks, e cila furnizon fabrikën me qymyr. Dhe qyteti është i kërcënuar nga sulmet në rritje, nga bombat e pandalshme të Rusisë.

Jashtë zyrës së tij, një tabelë shfaq emrat e 92 ish-punëtorëve të çelikut, të cilët i janë bashkuar ushtrisë në luftën kundër rusëve. Poshtë tyre janë fotografitë e të vdekurve. Stafi mban mbledhje fondesh për t’i furnizuar kolegët në vijën e frontit. Po ashtu aty janë edhe dy jelekë anti-plumb, të vendosur në njërën qoshe pranë tavolinës së tij.
“Punonjësit e vjetër, ata mbajnë gjithçka mbi supet e tyre. Ata janë bërë edhe më të fortë. Ata e dinë punën e tyre”, ka thënë Saphonovi. “Të gjithë e dinë se çfarë u duhet të kalojnë, të vazhdojnë, duke shpresuar se gjërat do të bëhen më mirë në të ardhmen”.
Chernihiv, 13:00
Mjekja Vladyslava Friz ka kryer më shumë operacione kirurgjikale në 1000 ditët e kaluara, sesa që ka bërë në dekadën e kaluar të karrierës së saj. Dhe lëndimet nuk janë aspak të njëjta me ato që ka parë më herët.

Ditët e saj fillojnë herët dhe përfundojnë vonë. Në muajt e parë të luftës, ka thënë ajo, spitali ka pranuar 60 njerëz në orë dhe tetë kirurgë kanë punuar tërë kohës. Ata akoma po vazhdojnë, meqë shumë prej të lënduarve u duhen disa operacione.
Më 11 nëntor, ajo po merrej me faqen dhe nofullën e një pacienti të lënduar nga një shpërthim i minës.
“Pamja e jashtme është identiteti vizual i një personi”, ka thënë ajo. “Ka punë për të bërë, e ne po e bëjmë. Nuk kemi mundësi të tjera. Ka ilaçe, pajisje dhe personel, por nuk ka struktura metalike për operacione kirurgjikale. Nuk ka financim shtetëror për implante”.
Ajo ka thënë se nuk do t’i braktisë pacientët e saj, por që shqetësohet se bota do ta braktisë Ukrainën, teksa lufta i afrohet vitit të katërt.
“Komuniteti botëror vazhdon t’i humbasë interesat për ngjarjet në Ukrainë, teksa ne humbasim njerëz çdo ditë”, ka thënë ajo. “Bota duket sikur na ka harruar”.

Odesa, 18:00
Yulia Ponomarenko ka sjellë në jetë dy foshnja gjatë 1000 ditëve të fundit, përfshirë Marianan më 11 nëntor. Burri i saj, Denys, është duke luftuar në vijën e frontit.
Qyteti i tyre i banimit, Oleshky është fundosur nga përmbytjet pas shpërthimit të digës “Kakhovka”. Por, deri atëherë, ajo veçse ishte larguar nga forcat pushtuese ruse, të cilat shënjestrojnë familjet e ushtarëve ukrainas.
Mariana, e lindur me 3.8 kilogramë peshë dhe 55 centimetra gjatësi, do të rritet me një vëlla e motër të madhe dhe një shtëpi me dy mace dhe dy qen.
“Këtë fëmijë e kemi pritur shumë për të lindur. E kemi dashur shumë. Tani ne kemi një princeshë tjetër”, ka thënë Ponomarenko.
Kiev, 21:00
Aktorët nuk mund të performojnë në teatrin e tyre në Kharkiv – shumë bomba, pak njerëz të gatshëm për t’u mbledhur në një vend. Prandaj, janë larguar për në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku kanë performuar në një shtëpi pothuajse të mbushur më 11 nëntor, si mysafirë të teatrit “Franko”.
“Për shkak të luftës, teatri i Kharkivit nuk mund të mbajë shfaqje në skenë. Ne performojmë nën tokë në metro. Është bërë art i nëntokës. Ka vetëm dy deri në tri vende në Kharkiv ku mund të performojmë, dhe kaq”, ka thënë Mykhailo Tereshchenko, një nga aktorët kryesorë të Teatrit Akademik të Dramës Ukrainase “Taras Shevchenko”, emëruar sipas shkrimtarit më të famshëm të Ukrainës.
Yevhen Nyshchuk, drejtori i “Frankos”, ka thënë se teatri ka ndërprerë shfaqjet për disa muaj pas fillimit të luftës. Tani, është i mbushur gati çdo natë kur ka performanca dhe duartrokitje të gjata kur mbyllen perdet.
Arsyeja shkon përtej cilësisë së shfaqjeve në këtë pikë, beson ai, dhe gjithashtu shpreh “një realizim të brendshëm se pavarësisht gjithçkaje, ne do të krijojmë, do të jetojmë, do të vijmë, do të takohemi, e do ta duartrokasim njëri-tjetrin”.
