Botë

22 të vdekur nga një shpërthim në një fabrikë në Korenë e Jugut

Shpërthimi në Korenë e Jugut

Shpërthimi në Korenë e Jugut

Të paktën 22 persona kanë mbetur të vdekur në Korenë e Jugut si pasojë e një zjarri masiv në një fabrikë.

Raportohet se deri te zjarri ka ardhur pasi kishin shpërthyer disa bateri litiumi.

Zjarri ka shpërthyer të hënën në mëngjes në uzinën Aricell në qytetin Hwaseong, rreth 45 km në jug të kryeqytetit Seul, raporton BBC.

Koreja e Jugut është një nga prodhuesit kryesor të baterive të litiumit, të cilat përdoren në shumë artikuj nga automjetet elektrike e deri te laptopët.

Zyrtari i zjarrfikësve Kim Jin-young ka thënë se 18 punëtorë kinezë, një laosian dhe dy punëtorë koreano-jugor ishin konfirmuar në mes të të vdekurve. Një trup i fundit ende nuk është identifikuar, dhe ekziston frika se të paktën një person tjetër mund të jetë zhdukur.

"Shumica e trupave janë djegur keq, kështu që do të duhet pak kohë për të identifikuar secilin”, ka thënë Kim, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Tre persona të tjerë u lënduan, dy në gjendje të rëndë, nga 100 që ishin duke punuar kur shpërtheu zjarri.

Fabrika e Aricell mbante rreth 35,000 pjesë baterish në katin e saj të dytë.

Kim ka shtuar se zjarri filloi kur një seri pjesësh baterish shpërthyen, megjithëse mbetet e paqartë se çfarë shkaktoi shpërthimet fillestare.

Ai shpjegoi se fillimisht ishte e vështirë për të hyrë në vend "për shkak të frikës së shpërthimeve shtesë".

Bateritë e litiumit rrezikohen të shpërthejnë nëse dëmtohen ose mbinxehen.

Duke qenë se zjarri i litiumit mund të reagojë intensivisht me ujin, zjarrfikësve iu desh të përdornin rërë të thatë për të shuar flakët, dhe u deshën disa orë për t'u vënë nën kontroll.

Megjithatë, ekziston rreziku që pas shuarjes së zjarrit, ai të rindizet pa paralajmërim për shkak të reaksionit kimik.