Rreth 200 ushtarë ukrainas kanë arritur në Spanjë për trajnimet e sofistikuara ushtarake.
Ata të mërkurën janë pritur nga ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles.
Shumica e këtyre ushtarëve ishin civilë të mobilizuar, të cilët nuk kishin përvojë ushtarake dhe pritet të marrin pjesë në trajnimet bazë në qytetin Tolego.
Në mesin e atyre që i kanë pritur ukrainasit në Aeroportin e Madridit ishte edhe ambasadori ukrainas, Serhi Pohoreltsev, i cili e ka falënderuar Spanjën për ndihmën.
“Për t’i dhënë fund luftës për ne do të thotë që të kthejmë kontrollin e krejt territoreve të pushtuara, prandaj faleminderit Qeverisë spanjolle dhe zonjës ministre”, ka thënë ai.
20 ukrainas të tjerë pritej të merrnin pjesë në kursin bazë për dy javë në Sevilla. Ata do të mësojnë sistemin kundërajror Hawk, të cilin Spanja ia ka dhuruar Ukrainës.
Programet stërvitore të ofruara nga Spanja mbulojnë trajnimin bazë, menaxhimin e viktimave, gjuajtjen precize, veprimin kundër mjeteve shpërthyese të improvizuara, çminimin, përdorimin e armëve kundërajrore dhe fusha të tjera që mund të lindin sipas nevojave të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Objektivi, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është të kontribuojë në përmirësimin e aftësisë ushtarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës për të kryer në mënyrë efektive operacione ushtarake, në mënyrë që vendi të mund të mbrojë integritetin e tij territorial brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, të ushtrojë në mënyrë efektive sovranitetin e tij dhe mbrojnë popullatën civile.
Kjo është hera e dytë që ukrainasit vijnë në Spanjë për një modul trajnimi ushtarak, pas atij të parë në dhjetor.