Të paktën 18 njerëz kanë vdekur pasi përmbytjet masive shkatërruan Indinë verilindore dhe Bangladeshin, duke lënë miliona shtëpi nën ujë dhe duke ndërprerë lidhjet e transportit, thanë autoritetet të shtunën, raportoi Associated Press.
Në shtetin Assam të Indisë, të paktën nëntë njerëz vdiqën nga përmbytjet dhe 2 milionë të tjerë panë shtëpitë e tyre të zhytura në ujë, sipas agjencisë shtetërore të menaxhimit të fatkeqësive.
Rrufeja në pjesë të Bangladeshit fqinj, ndërkohë vrau nëntë persona të premten.
Të dy vendet u kanë kërkuar ndihmë ushtarakëve të tyre pasi përmbytjet po afrohen me shira që pritet të vazhdojnë gjatë fundjavës.
Ushtria e Indisë është mobilizuar për të ndihmuar agjencitë e reagimit ndaj fatkeqësive në shpëtimin e njerëzve të bllokuar dhe sigurimin e ushqimit dhe gjërave të tjera thelbësore. Ushtarët përdornin skafe dhe gomone për të lundruar nëpër zonat e zhytura në ujë.
Nivelet e ujit në të gjithë lumenjtë kryesorë në të gjithë vendin po rriten, sipas qendrës së parashikimit dhe paralajmërimit të përmbytjeve në Dhaka, kryeqytet. Vendi ka rreth 130 lumenj.
Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar Osmani në Sylhet janë pezulluar për tre ditë pasi ujërat e përmbytjeve pothuajse kanë arritur në pistë, sipas Hafiz Ahmed, menaxher i aeroportit.
Bangladeshi, një komb me 160 milionë banorë, është në një zonë të ulët dhe përballet me kërcënime nga fatkeqësitë natyrore si përmbytjet dhe ciklonet, të përkeqësuara nga ndryshimet klimatike.
Sipas Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, rreth 17% e njerëzve në Bangladesh do të duhet të zhvendosen gjatë dekadës së ardhshme ose më shumë nëse ngrohja globale vazhdon me ritmin aktual.
Përktheu: Forca Jashari