179 të vdekur dhe dy të mbijetuar nga përplasja e aeroplanit në Kore të Jugut
Foto:
Associated Press
29 dhjetor 2024 07:53
Shpërndaje në:
(Përditësuar, 13:38) - Autoritetet jugkoreane të shpëtimit kanë njoftuar se gjithsej 179 persona kanë vdekur dhe dy persona janë shpëtuar nga avioni që transportonte 181 persona, e i cili u përplas në aeroportin ndërkombëtar Muan të Koresë së Jugut, mëngjesin e së dielës.
Zyrtarët kanë konfirmuar se të gjithë 175 pasagjerët e aeroplanit kanë vdekur, së bashku me katër personel të fluturimit.
Dy anëtarët e mbijetuar të ekuipazhit u shpëtuan nga bishti i avionit dhe kishin pësuar lëndime "mesatare deri në të rënda", sipas autoriteteve.
(Përditësuar, 11:52) - Ka shkuar në 177 numri i njerëzve të vdekur si pasojë e përplasjes së avionit në Korenë e Jugut të dielën.
Autoritetet kanë bërë të ditur se në mesin e të vdekurve janë 84 gra, 82 burra dhe 11 të tjerë, gjinia e të cilëve nuk ishte e identifikueshme menjëherë.
Viktimat vdiqën nga zjarri që shpërtheu në momentin e përplasjes, ka bërë të ditur agjencia e zjarrfikësve të Koresë së Jugut në përditësimin e saj të fundit.
Punonjësit e urgjencës tërhoqën në vend të sigurt dy persona, të dy anëtarë të ekuipazhit. Zyrtarët shëndetësorë thanë se ata janë të vetëdijshëm dhe nuk janë në rrezik për jetën.
(Përditësuar, 10:41) - Ka shkuar në 176 numri i të vdekurve nga përplasja e aeroplanit në aeroportin Muan të Koresë së Jugut, raporton “BBC”.
Aeroplani i Jeju Air, i nisur nga Bangkoku i Tajlandës, u përplas për një mur rrethues ndërsa doli nga pista gjatë aterrimit në aeroportin në Muan. Aeroplani shpërtheu në zjarr.
Në aeroplan ishin 175 pasagjerë e gjashtë pjesëtarë të ekuipazhit. Dy pjesëtarë të ekuipazhit janë nxjerrë të gjallë.
Agjencia Kombëtare e Zjarrfikësve e Koresë së Jugut, ka thënë se 83 gra e 82 burra kanë humbur jetën, ndërsa gjinia e 11 viktimave tjera nuk është konstatuar ende për shkak të dëmtimit të trupave.
Dy të mbijetuarit janë jashtë rrezikut për jetë dhe të vetëdijshëm.
Sipas një zyrtari të transportit ajror të Koresë së Jugut, aeroplani kishte tentuar të ulej, por kontrolli i trafikut ajror dha një paralajmërim për rrezikun e goditjeve nga shpendët, duke e detyruar avionin të mos ulej.
Rreth dy minuta më vonë, piloti kërkoi ulje urgjente dhe komanda e trafikut ajror i dha leje aeroplanit që të ulej, por në drejtimin e kundërt.
Piloti pranoi dhe në pamje në video, shihet aeroplani duke u ulur pa rrota apo pajisje tjera të uljes dhe rrëshqiti përgjatë pistës para se të përplasej për një mur rrethues.
Arrin në 167 numri i të vdekurve nga përplasja e aeroplanit në Kore të Jugut
(Përditësuar, 10:15) - Ka arritur në 167 numri i personave që kanë vdekur si pasojë e rrëzimit të aeroplanit në Muan të Koresë së Jugut.
Numrin e viktimave e ka konfirmuar Agjencia Kombëtare e Zjarrfikësve.
Deri më tani, dy individë nga personeli i fluturimit janë gjetur të gjallë dhe janë transportuar për në spital.
Aeroplani i “Jeju Air” me 181 persona në bord u përplas për një mur rrethues ndërsa doli nga pista e aeroportit. Aeroplani shpërtheu në zjarr.
Shkon në 151 numri i të vdekurve nga përplasja e aeroplanit në Kore të Jugut
Ka shkuar në 151 numri i të vdekurve nga përplasja e aeroplanit në aeroportin në Muan të Koresë së Jugut, raporton “BBC”.
Aeroplani i “Jeju Air” me 181 persona në bord u përplas për një mur rrethues ndërsa doli nga pista e aeroportit. Aeroplani shpërtheu në zjarr.
Dy persona kanë mbijetuar, të dy pjesëtarë të ekuipazhit, ndërsa besohet se 179 të tjerë kanë humbur jetën.
Nga të vdekurit, 71 janë burra e 71 gra, ndërsa gjinia e 9 të tjerëve s’ka mundur ende të konfirmohet për shkak të dëmtimit të trupave, ka njoftuar Shërbimi i Zjarrfikësve i Koresë së Jugut.
Të paktën 127 të vdekur nga përplasja e aeroplanit në Kore të Jugut
Të paktën 127 persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan u përplas derisa tentoi të ulej në aeroportin në Muan të Koresë së Jugut të dielën, raporton “BBC”.
Aeroplani Boeing 737-800 i kompanisë ajrore “Jeju Air” kishte 181 pasagjerë në bord, ndërsa ishte nisur nga Bangkoku i Tajlandës.
Dy pjesëtarë të ekuipazhit raportohet se kanë mbijetuar, ndërsa forcat e emergjencës po i vazhdojnë kërkimet. Besohet se kanë humbur jetën 179 persona në aksidentin, ndonëse deri më tash janë nxjerrë 127 trupa.
Nuk janë bërë të ditura shkaqet e aksidentit, por shërbimi i zjarrfikësve beson se bëhet fjalë për një përplasje me zogj dhe se ka ndikuar edhe moti jo i mirë.
Aeroplani kishte dal nga pista pasi tentoi të ulej dhe u përplas në një mur rrethues, duke shpërthyer në zjarr.
Është një nga aksidentetet më të rënda ajrore në histori të Koresë së Jugut. Aksidenti më i rëndë ajror brenda territorit të Koresë së Jugut, ishte regjistruar në vitin 2002 kur aeroplani i Air China u rrëzua, si pasojë e të cilit vdiqën 129 persona.
E aksidenti më fatal ajror në historinë e aviacionit të Koresë së Jugut ishte në vitin 1997, kur aeroplani i Korean Airline u rrëzua në Guam, si pasojë e të cilit vdiqën 228 persona.
Ushtruesi i detyrës së presidentit të Koresë së Jugut, Choi Sang-mok, ka vendosur të vë në dispozicion fonde qeveritare për qeverinë lokale të Muanit, duke e shpallur zonë të katastrofës.
Shefat e kompanisë ajrore “Jeju Air” janë paraqitur kokëulur duke kërkuar falje për aksidentin.
Në një konferencë për media, presidenti i Jeju Air, Kim E-bae, u përkul me zyrtarë tjerë të lartë të kompanisë, ndërsa u kërkoi falje familjeve të viktimave dhe tha se ndien “përgjegjësinë e plotë” për incidentin. Kim ka thënë se kompania s’ka identifikuar ndonjë problem gjatë kontrolleve të rregullta të aeroplanit dhe se do t’i presë hetimet qeveritare për shkakun e aksidentit.
Kompania Boeing në një postim në “X” ka thënë se është në kontakt me Jeju Air dhe është e gatshme ta përkrahë kompaninë ajrore, ndërsa u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
Sipas agjencisë ajrore jugkoreane “Yonhap” në aeroplan ishin 175 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit. 173 pasagjerë ishin shtetas të Koresë së Jugut e dy ishin tajlandezë.
Është aksidenti i dytë ajror brenda pak ditëve. Në mesjavë një aeroplan i Azerbaijan Airlines u rrëzua derisa tentoi të ulej në Kazakistan, ndërsa 38 persona vdiqën.
KUJDES pamje shqetësuese
BREAKING: Video shows crash of Jeju Air Flight 2216 in South Korea. 181 people on board pic.twitter.com/9rQUC0Yxt8