Mjekët palestinëzë kanë raportuar për 17 të vrarë nga sulmet izraelite në të gjithë enklavën, teksa bisedimet për armëpushim kanë vazhduar në Katar.
Ndërmjetësuesit amerikanë dhe arabë kanë bërë njëfarë përparimi në përpjekjet e tyre për të arritur një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit në Gazë, por jo mjaftueshëm për të nënshkruar një marrëveshje, thanë të enjten burime palestineze.
Katari, SHBA-ja dhe Egjipti po bëjnë përpjekje të madhe për të arritur një marrëveshje në mënyrë që t’i ndalin luftimet në konfliktin 15-mujor dhe për të liruar pengjet e mbetura që po mbahen nga Hamasi, raporton Reuters.
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka paralajmëruar se do të krijohen probleme të mëdha nëse pengjet nuk lirohem deri në inaugurimin e tij më 20 janar.
Të enjten, një zyrtar palestinez i afërt me negociatat ka theksuar se mungesa e një marrëveshjeje deri më tani nuk do të thotë se nuk ka përparim në bisedime dhe ka thënë se kjo është përpjekja më serioze deri më tani për të arritur një marrëveshje.
“Ka negociata të gjera, ndërmjetësit dhe negociatorët po flasin për çdo detaj. Ka një përparim kur bëhet fjalë për ngushtimin e boshllëqeve të vjetra ekzistuese, por nuk ka ende marrëveshje”, ka deklaruar ai për Reutersin, pa dhënë detaje tjera.
Të martën, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme izraelite Eden Bar-Tal tha se Izraeli ishte plotësisht i përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje për kthimin e pengjeve të tij nga Gaza, por përballet me pengesa nga Hamasi.
Të dy palët kanë qenë në një ngërç për një vit për dy çështje kyçe. Hamasi ka thënë se do t’i lirojë pengjet vetëm nëse Izraeli pranon t'i japë fund luftës dhe të tërheqë të gjitha trupat e tij nga Gaza. Izraeli thotë se nuk do t'i japë fund luftës derisa Hamasi të shpërbëhet dhe të gjitha pengjet të jenë të lira.
Të enjten, numri i të vdekurve nga sulmet ushtarake të Izraelit përfshinte tetë palestinezë të vrarë në një shtëpi në Jabalia, më i madhi nga tetë kampet historike të refugjatëve të Gazës, ku forcat izraelite kanë operuar për më shumë se tre muaj. Nëntë të tjerë, përfshirë një baba dhe tre fëmijët e tij, vdiqën në dy sulme ajrore të veçanta në dy shtëpi në Rripin qendror të Gazës, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar rreth sulmeve.