Të paktën 17 persona kanë vdekur nga përplasjet ndërmjet mbështetësve të ish-presidentit dhe forcave të sigurisë në jug-lindje të Perus, kanë vërë të ditur zyrtarët policorë.
Dhjetëra të tjerë janë plagosur të hënën në qytetin Juliaca, në dhunën më të ashpër që ka shpërthyer që kur ish-presidenti, Pedro Castillo, ishte arrestuar muajin e kaluar për shkak të përpjekjes për ta shpërbërë Kongresin, raportoi BBC-ja të martën.
Mbështetësit e tij kanë protestuar dhe i kanë bllokuar rrugët për javë të tëra pas arrestimit të tij. Ata po kërkojnë që presidenti i ri, Dina Boluarte të largohet dhe të organizohen zgjedhjet e parakohshme.
Kryeministri i Perusë, Alberto Otárola, i ka dënuar përplasjet në Juliaca, duke i përshkruar ato si një krim të organizuar ndaj Policisë.
Ai ka deklaruar se mijëra njerëz janë përpjekur ta shkatërrojnë aeroportin e qytetit dhe një stacion policie.
Shteti i cili ndodhet në Amerikën Latine është përballur me vite me probleme politike, derisa kriza e fundit ka ardhur pasi ish-presidenti Castillo në dhjetor të vitit të kaluar kishte deklaruar se po e shpërbënte Kongresin dhe se po vendoste gjendjen e jashtëzakonshme.
Por Kongresi vazhdoi të votonte me shumicë dërrmuese për ta fajësuar atë.
Castillo, i cili aktualisht është në paraburgim, po hetohet me akuzat për rebelim dhe komplot. Ai mohon të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se është ende presidenti i vetëm legjitim.