Botë

17 të vdekur nga një sulm izraelit mbi një shkollë në Gaza

Lufta në Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën 17 persona kanë mbetur të vdekur dhe 42 të tjerë të plagosur si pasojë e një sulmi izraelit në një shkollë në të cilën po strehoheshin njerëzit e zhvendosur, në Rripin qendror të Gazës.

Sulmi ka ndodhur në kampin e ndërtuar të refugjatëve Nuseirat, sipas spitalit Awda, i cili po i trajton viktimat, raporton AP.

Mes të vdekurve janë shtatë fëmijë deri në 11 muajsh dhe tri gra.

Izraeli ka kryer disa sulme në shkollat e kthyera në strehimore gjatë muajve të fundit, duke thënë se synon militantët e Hamasit që fshihen mes civilëve. Sulmet shpesh vrasin gra dhe fëmijë.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ndërkohë njoftoi për 135 milionë dollarë të tjera ndihmë për palestinezët, duke thënë se është thelbësore që ndihma të hyjë në Gaza.

Blinkeni foli në Katar të enjten në vizitën e tij të 11-të në rajon që nga shpërthimi i luftës në Gaza. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë presion Izraelit që të lejojë më shumë ndihmë në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta.

Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi hynë në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Rreth 100 pengje janë ende brenda Gazës, një e treta e të cilëve besohet të jenë të vdekur.

LEXO EDHE: