Botë

16 vjet më parë, Kaukazi ndryshoi përgjithmonë

rusia

Më 8 gusht të vitit 2008, trupat ruse nisën pushtimin e Gjeorgjisë, duke shënuar kështu fillimin e marrëdhënieve të trazuara në rajonin transkontinental, Kaukaz, por edhe krisjen e marrëdhënieve mes Perëndimit dhe Rusisë.

Megjithëse lufta zgjati për disa ditë, situata në territorin e Gjeorgjisë mbeti në një lloj faze konflikti të ngrirë. 20 për qind e territorit mbetet nën ndikimin rus. Osetia e Jugut dhe Abkhazia nuk e njohin sundimin e Gjeorgjisë dhe veprojnë si republika të pavarura të njohura nga Rusia dhe vendet si Venezuela, Nikaragua dhe Siria.

Zëdhënësja e NATO-s, Farah Dakhlallah, në 16-vjetorin e pushtimit, ka bërë thirrje që Rusia të tërheqë forcat nga territori gjeorgjian.  

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të tërheqë forcat që ka vendosur në Gjeorgji pa pëlqimin e saj. Osetia e Jugut dhe Abkhazia janë pjesë e Gjeorgjisë, pavarësisht nga pushtimi rus prej 16 vjetësh. NATO mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë”, ka thënë ajo.

Me rastin e 16-vjetorit të pushtimit të trupave ruse, kanë reaguar edhe nga Brukseli.

“Ne përsërisim dënimin për praninë e vazhdueshme ushtarake të Rusisë në rajonet e pushtuara të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, e cila është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimet e Rusisë sipas marrëveshjes gjashtëpikëshe të 12 gushtit të vitit 2008. Të drejtat e njeriut të komuniteteve të prekura nga konflikti në Gjeorgji vazhdojnë të shkelen, duke përfshirë politikat kufitare, mbylljet e kalimeve kufitare dhe ndalimet e paligjshme. Duhet t'i jepet fund kufizimeve të lirisë së lëvizjes, duhet të hetohen shkeljet e të drejtave të njeriut dhe drejtësia duhet të sigurohet për të gjitha viktimat”, ka thënë në një deklaratë Bashkimi Evropian.