Botë

16 të vdekur nga një sulm izraelit në një shkollë në Gaza

Lufta në Gaza

Lufta në Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën 16 persona janë vrarë në një sulm ajror izraelit në një shkollë në Rripin e Gazës, kanë bërë të ditur zyrtarët palestinezë. Dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Ndërtesa po strehonte mijëra njerëz të zhvendosur në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, raporton BBC.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se goditën disa "terroristë që vepronin në strukturat e vendosura në zonën e shkollës Al-Jaouni".

Ndërkohë, raportohet se 10 persona janë vrarë në një sulm të veçantë ajror në një shtëpi në kamp.

Dëshmitarët okularë i kanë thënë BBC-së se sulmi kishte në shënjestër katet e sipërme të shkollës, e cila ndodhet pranë një tregu të frekuentuar.

BBC merr vesh se deri në 7,000 njerëz po e përdornin ndërtesën si strehim.

Një grua i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se si disa fëmijë u vranë teksa po lexonin Kuranin kur ndërtesa u godit.

“Kjo është hera e katërt që ata targetojnë shkollën pa paralajmërim”, ka deklaruar ajo.

Një burim lokal ka thënë se objektivi ishte një dhomë që dyshohet se përdorej nga Hamasi. 

Hamasi ndërkaq ka bërë të ditur se pesë gazetarë lokalë ishin në mesin e të vrarëve në sulmet izraelite të shtunën. Anëtarët e familjes së tyre thuhet se ishin gjithashtu në shënjestër.

Më shumë se 100 gazetarë kanë humbur jetën në Gaza që nga sulmet e 7 tetorit, sipas “Reporterëve pa Kufi”.

Hamasi ka deklaruar se pesë viktimat e fundit e çojnë numrin në 158.