Një hetim në shtetin Anambra të Nigerisë, zbuloi se si mashtrohen gratë e dëshpëruara, të cilat s’mund të lindnin fëmijë. Janë gjetur klinika të paligjshme që përfitonin nga shtatzënitë e rreme dhe trafikimi i foshnjave. Sipas raportimeve, mashtruesit prezantohen si mjekë dhe i bindin gratë që ta marrin “trajtimin e mrekullueshëm të fertilitetit” për të mbetur shtatzënë, e i cili kushton qindra dollarë.
Chioma këmbëngul që Hope, foshnja djalë në krahët e saj, është djali i saj. Pas tetë vjetësh përpjekjeje për të mbetur shtatzënë, ajo e sheh atë fëmijë si mrekulli.
“Unë e kam bërë beben time”, thotë ajo me ton sfidues.
Ajo rri e ulur afër burrit të saj, Ike, në zyrën e një zyrtareje nigeriane të shtetit, e cila kalon gati një orë duke e marrë çiftin në pyetje.
Si komisionere për çështjet e grave dhe mirëqenien sociale në Anambra, Ify Obinabo ka goxha eksperiencë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve familjare – por ky nuk është mospajtim i zakonshëm.
Pesë anëtarë të familjes së Ikesë, të cilët janë në dhomë, nuk besojnë se Hope është fëmija biologjik i çiftit, siç pretendojnë Chioma dhe Ike.
Chioma pretendon se ka qenë “shtatzënë” me fëmijën për rreth 15 muaj. Zyrtarja dhe familja e Ikesë nuk arrijnë t’i besojnë dot absurditetit të pretendimit.
Chioma thotë se përballet me presionin nga familja e Ike-së për të mbetur shtatzënë. Ata madje i kanë kërkuar atij të martohet me një grua tjetër.
Pa zgjidhje tjetër, ajo ka vizituar një “klinikë” që i ka ofruar një “trajtim” jokonvencional - mashtrim i tmerrshëm dhe shqetësues, i cili përdor gratë që dëshpërimisht dëshirojnë të bëhen nëna, që përfshin trafikimin e foshnjave.

Autoritetet i kanë lejuar gazetarët e BBC-së brenda dyerve në takimin e zyrtares me Chioman, si pjesë e hetimit rreth mashtrimeve të fshehta të shtatzënisë.
Emrat e Chiomas, Ikesë dhe të tjerëve janë ndryshuar për t’i mbrojtur nga hakmarrja në komunitetet e tyre.
Nigeria ka një nga shkallët më të larta të lindjes në botë, ku gratë shpesh përballen me presion social për të mbetur shtatzënë, e madje edhe përjashtohen ose abuzohen nëse nuk munden.
Nën këtë presion, disa gra shkojnë drejt ekstremit për ta realizuar ëndrrën e të qenit nënë.
Mashtruesit, që shtiren si doktorë ose infermierë, i bindin gratë se kanë një “trajtim të mrekullueshëm të fertilitetit” që e garanton shtatzëninë. “Trajtimi” i parë zakonisht kushton qindra dollarë dhe përfshin një injeksion, një pije, ose një substancë që futet brenda në vagjinë.
Asnjëri nga zyrtarët ose gratë e intervistuara gjatë hetimit nuk e dinë me siguri se çfarë ishin këto lloje të barnave. Por, disa gra kanë treguar se ilaçet ua kanë ndryshuar trupin – si fryrja e barkut – çka i ka shtyrë të besojnë se ishin shtatzënë.
Gratë që kanë marrë “trajtimin” janë paralajmëruar të mos vizitojnë mjekët ose spitalet, meqë asnjë skanim me ultratinguj ose test i shtatzënisë nuk do ta detektonte “beben”, e cila sipas pretendimeve të tyre është duke u rritur në mitër.
Kur vjen koha për ta “lindur” foshnjën, grave u është thënë se lindja do të fillojë vetëm, pasi të nxitet nga një “drogë e rrallë dhe e shtrenjtë”, çka kërkon pagesë të mëtejshme.
Dëshmitë se si ka ndodhur “lindja” ndryshojnë, por të gjitha janë shqetësuese. Disa janë vënë në gjumë dhe janë zgjuar me një shenjë, që duket si prerje cezariane. Sipas të tjerave, u është dhënë një injeksion që u ka shkaktuar marramendje dhe gjendje halucinative, ku kanë besuar se po lindnin.
Gjithsesi, gratë përfundojnë me foshnjat që supozohet se i kanë lindur.
Chioma i thotë zyrtares Obinabo, se kur i erdhi koha “të lindte”, i ashtuquajturi mjek e injektoi në bel dhe i tha të mundohej të lindte. Ajo nuk e di sigurt se si e lindi Hopen, por thotë se procesi ishte shumë i “dhimbshëm”.
Gazetarët kanë arritur t’i gjejnë disa nga këto “klinika” të fshehta – ku kanë rënë në kontakt me një grua të njohur si “Dr. Ruth” nga klientet – duke pretenduar se janë çift që janë përpjekur për fëmijë për tetë vjet.

E ashtuquajtura “Dr. Ruth” hap klinikën e saj dy herë në muaj, në një hotel gjysmë të rrënuar në qytetin Ihiala, në shtetin juglindor të Nigerisë, Anambra. Jashtë dhomës së saj, dhjetëra gra e presin nëpër korridore të hotelit, disa me bark dukshëm të fryrë.
E tërë atmosfera është e mbushur me pozitivitet. Në një moment, dëgjohen urime brenda dhomës, pasi një grua tregon se është shtatzënë.
Kur është radha e gazetarëve të fshehtë për t’u takuar me të, “Dr. Ruthi” u thotë atyre se trajtimi është i garantuar të funksionojë.
Ajo i ofron gruas një injeksion, duke pretenduar se çifti do të arrijë “ta zgjedhë” gjininë e foshnjës së tyre – pamundësi mjekësore.
Pasi ata e refuzojnë injeksionin, “Dr. Ruth” u jep atyre një qese me pilula të grimcuara, si dhe disa pilula të tjera për t’i marrë në shtëpi, së bashku me udhëzimet se kur duhet të kryejnë marrëdhënie.
Trajtimi fillestar kushton 350 mijë naira ose 205 dollarë.
Gazetarët as nuk i marrin ilaçet e as nuk i ndjekin udhëzimet e “Dr. Ruth” dhe rikthehen për t’u takuar me të katër javë më vonë.
Pas përdorimit të një pajisjeje që duket si skaner me ultratinguj mbi stomakun e gazetares, dëgjohet një tingull si rrahje zemre dhe “Dr. Ruth” e uron atë, duke i treguar se është shtatzënë.
Ato të dyja brohorasin nga gëzimi.
Pasi i jep lajmet e mira, “Dr. Ruth” shpjegon se ata duhet të paguajnë për një ilaç “të rrallë” dhe të shtrenjtë që nevojitet për lindjen e foshnjës, i cili kushton diku midis 1.5 dhe dy milionë naira ose 1180 dollarë.
Pa këtë drogë, shtatzënia do të zgjaste më shumë se nëntë muaj, pretendon “Dr. Ruth” duke i shpërfillur faktet shkencore dhe shton: “Fëmija mund të vuajë nga kequshqyerja - do të na duhet ta rindërtojmë përsëri”.
“Dr. Ruth” nuk u është përgjigjur pretendimeve të bëra nga ekipi i BBC-së.

Shkalla e grave të përfshira, të cilat i besojnë me të vërtetë pretendimeve është e panjohur.
Por, të dhënat se pse ato do t’u besonin ndjeshëm gënjeshtrave të tilla të pacipa, mund të gjenden pjesërisht në grupet e internetit, ku janë të përhapura dezinformatat rreth shtatzënisë.
Rrjet i dezinformatave
Shtatzënia e fshehtë është fenomen i njohur mjekësor, ku një grua nuk është në dijeni se është shtatzënë deri në fazat e vonshme.
Por gjatë hetimit, janë gjetur dezinformata të shpërndara në grupet dhe faqet e Facebookut rreth këtij lloji të shtatzënisë.
Një grua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ia dedikon tërë faqen e saj të Facebookut “shtatzënisë së fshehtë” që kishte, pretendon se ka qenë shtatzënë “për vite të tëra” dhe se rrugëtimi i saj nuk mund të shpjegohet nga shkenca.
Në grupet private të Facebookut, shumë postime përdorin terminologjinë fetare për ta cilësuar “trajtimin” fals si “mrekulli” për ato që nuk kanë qenë në gjendje të mbesin shtatzënë.
I gjithë ky dezinformacion i ndihmon gratë të bien pre e mashtrimit.
Anëtaret e këtyre grupeve janë jo vetëm nga Nigeria, por gjithashtu edhe nga Afrika e Jugut, Karaibet dhe SHBA-ja.
Mashtruesit ndonjëherë arrijnë dhe postojnë në këto grupe, duke u mundësuar atyre t’i kontaktojnë gratë që shprehin interes në këtë “trajtim”.
Sapo dikush shfaq gatishmëri për ta nisur procesin e mashtrimit, ato ftohen në grupe më të sigurta të WhatsAppit. Aty, adminët ndajnë informacione për “klinikat e fshehta” dhe për proceset e përfshira.
“Jam akoma e hutuar”
Autoritetet kanë thënë se për ta përfunduar “trajtimin”, mashtruesve u duhen foshnja të sapolindura dhe për ta bërë këtë, ata gjejnë gra që janë të dëshpëruara dhe të cenuara, shumë prej tyre të reja dhe shtatzëna, në një vend ku aborti është ilegal.
Në shkurt të vitit 2024, Ministria e Shëndetësisë së shtetit Anambra ka bastisur objektin ku Chioma “e lindi” Hopen.
Sipas pamjeve, objekti ishte i përbërë nga dy ndërtesa. Në njërën ndodheshin dhomat ku mbaheshin pajisjet mjekësore - me sa duket për klientët – e në tjetrën ishin disa gra shtatzëna që mbaheshin pa dëshirën e tyre. Disa ishin 17-vjeçare.
Disa prej tyre kanë thënë se janë mashtruar për të shkuar atje, pa e ditur se foshnjat do t’u shiteshin klientëve të mashtruesve.
Të tjerat, siç është Uju, nuk është emri i vërtetë, janë ndjerë të frikësuar për t’i treguar familjes se janë shtatzënë, prandaj janë përpjekur të gjejnë zgjidhje. Asaj i ishin ofruar 800 mijë naira ose 470 dollarë për foshnjën.
E pyetur nëse i vjen keq që mori vendimin për ta shitur foshnjën, ajo thotë: “Jam akoma e hutuar”.
Komisionerja Obinabo, e cila ka qenë pjesë e përpjekjeve të shtetit për t’i ndaluar mashtrimet, thotë se mashtruesit përdorin gratë e cenuara si Uju për të gjetur foshnja.
Në fund të marrjes së tensionuar në pyetje, Obinabo kërcënon se do ta marrë djaloshin Hope nga Chioma.
Por, Chioma e pranon rastin e saj dhe komisionerja përfundimisht thotë se ia pranon shpjegimin se është vetë viktimë dhe se nuk e kishte kuptuar se çfarë po ndodhte.
Në bazë të kësaj, ajo e lejon Chioman dhe Ikenë ta mbajnë foshnjën - përveç nëse prindërit biologjikë vijnë për ta kërkuar atë.
Por nëse qëndrimet ndaj grave, infertilitetit, të drejtave riprodhuese dhe birësimit nuk ndryshojnë, mashtrimet si kjo do të vazhdojnë të ndodhin, paralajmërojnë ekspertët.