Botë

13 të vdekur nga sulmet izraelite në Gaza, teksa ndihma e parë pas disa javësh arrin në veri

gaza

Dy sulme të veçanta izraelite vranë të paktën 13 njerëz, duke përfshirë gra dhe fëmijë, në Gaza të shtunën, thanë zyrtarët mjekësorë palestinezë.

Ndërkohë Izraeli ka njoftuar dërgimin e parë të ndihmave në disa javë në Gazën veriore të goditur nga lufta.

Një nga sulmet goditi një strehimore në lagjen lindore Tufah të qytetit të Gazës, duke vrarë të paktën gjashtë persona, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Gazës. 

Dy gazetarë lokalë, një grua shtatzënë dhe një fëmijë ishin mes të vdekurve, bëri të ditur ministria. 

Ushtria izraelite pretendon se sulmi kishte në shënjestër një militant që i përkiste grupit militant të Xhihadit Islamik palestinez, duke mos ofruar asnjë provë apo detaje të mëtejshme, raporton Associated Press.

Shtatë persona të tjerë u vranë kur një sulm izraelit goditi një tendë në qytetin jugor të Khan Younisit, ku njerëzit e zhvendosur ishin strehuar, sipas Spitalit Nasser.  Sipas të  dhënave të spitalit në mes të vdekurve ishin dy gra dhe një fëmijë. Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment në lidhje me shpërthimin.

COGAT, organi ushtarak izraelit përgjegjës për ndihmën humanitare në Gaza, njoftoi të shtunën se 11 kamionë me ndihma që përmbanin ushqim, ujë dhe pajisje mjekësore arritën në veri, duke përfshirë kampin urban të refugjatëve në Jabaliya. Është hera e parë që ndonjë ndihmë ka arritur në veri që kur Izraeli filloi një fushatë të re ushtarake atje muajin e kaluar.

Njoftimi vjen disa ditë përpara afatit të SHBA-së që kërkon që Izraeli të përmirësojë dërgesat e ndihmave në Gaza. 

Ofensiva e re e Izraelit është fokusuar në Jabaliya, një kamp refugjatësh me popullsi të dendur ku Izraeli thotë se Hamasi ishte rigrupuar. Zona të tjera të prekura nga fushata e re përfshijnë Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, të vendosura në veri të qytetit të Gazës.

OKB-ja vlerëson se dhjetëra mijëra njerëz mbeten në zonë. Në fillim të kësaj jave, Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka raportuar  se nuk kishte ambulanca apo ekipe urgjence që operonin aktualisht në veri të qytetit të Gazës.

Që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas, ushtria izraelite ka goditur disa shkolla dhe kampe, të mbushura me dhjetëra mijëra palestinezë të dëbuar nga shtëpitë e tyre nga ofensivat izraelite dhe urdhrat e evakuimit. Konflikti ka lënë 90% të palestinezëve në Gaza të zhvendosur, sipas shifrave të OKB-së.

Ushtria e ka akuzuar vazhdimisht Hamasin se vepron nga brenda infrastrukturës civile në Gaza, duke përfshirë shkollat, objektet e OKB-së dhe spitalet, mirëpo  grupi e mohon këtë.