Të paktën 12 persona janë vrarë dhe 43 të tjerë janë plagosur pasi forcat ruse kanë goditur një supermarket në qytetin verior të Ukrainës, Kharkiv, me dy bomba, kanë njoftuar zyrtarët lokalë, raportoi BBC-ja.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se mbi 200 persona mund të kishin qenë brenda supermarketit gjatë kohës së sulmit.
"Kjo goditje në Kharkiv është një tjetër manifestim i çmendurisë ruse. Vetëm të çmendurit si (v.j. presidenti rus Vladimir) Putin janë të aftë të vrasin dhe terrorizojnë njerëzit në këtë mënyrë”, ka thënë ai.
Një sulm tjetër në qendër të Kharkivit ka ndodhur të shtunën vonë, ku janë plagosur tetë persona.
Zelensky përsëriti se Ukraina ka nevojë për sisteme të mbrojtjes ajrore nga aleatët perëndimorë.
Sulmi pasoi një samit në Itali ku ministrat e financave të G7-s mbështetën idenë e përdorimit të fitimeve nga asetet e ngrira ruse për të financuar përpjekjet luftarake të Ukrainës.