Ushtria izraelite ka thënë të enjten se ka përfunduar një operacion dyditor në Bregun Perëndimor të pushtuar, që sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë palestineze, gjatë tij mbetën të vrarë 12 palestinezë dhe u plagosën 25 të tjerë.
Ushtria nisi operacionin të martën në qytetin e Jeninit dhe kampin e refugjatëve urban ngjitur, si pjesë e një goditjeje kundër militantëve në zonë, raporton AP.
Grupi militant i Xhihadit Islamik Palestinez ka thënë se luftëtarët e tij luftuan kundër forcave izraelite. "Ndërtesat, rrugët, infrastruktura, e gjithë kjo u shkatërrua në kampin Jenin”, ka deklaruar Abdul Jabbar Shalabi, kryetar i Bordit Administrativ të qendrës rinore të Kampit Jenin.
Grupet militante pretenduan se të paktën tetë nga të vdekurit ishin luftëtarë: një nga Hamasi dhe shtatë nga Brigada e Martirëve Al-Aksa, një degë e armatosur e partisë Fatah të presidentit palestinez Mahmud Abbas.
Ushtria izraelite nuk bëri të ditur menjëherë detaje shtesë rreth operacionit.
Jenin dhe kampi i refugjatëve urban ngjitur kanë qenë prej kohësh një bastion i luftës së armatosur kundër okupimit nga Izraeli dhe intensiteti i sulmeve nga trupat izraelite është rritur gjatë luftës në Gaza.
Dhuna është rritur në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza.
Ministria palestineze e Shëndetësisë thotë se më shumë se 500 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori.