11 tonë kokainë të importuara nga organizata kriminale shqiptare janë sekuestruar në Spanjë në dy operacione, njoftoi të martën policia spanjolle, duke nënvizuar rëndësinë e mafias ballkanike në trafikun e drogës, shkruan Euronews.
Ishte sekuestrimi më i madh i bërë ndonjëherë në Galicia, një rajon që ka shërbyer prej kohësh si një portë për në Evropë për kokainën nga Amerika Latine dhe që nxjerr në pah fuqinë e të ashtuquajturit “karteli ballkanik”.
“Në një javë, ne kemi arritur të heqim 11 tonë kokainë nga tregu”, ka thënë në një konferencë për shtyp në Madrid, Antonio Martinez Duarte, kreu i Brigadës Qendrore të Njësisë për Drogën dhe Krimin e Organizuar të policisë spanjolle.
Droga e sekuestruar erdhi nga Kolumbia nëpërmjet Ekuadorit dhe u gjet në kontejnerë që kishin mbërritur në portet e Vigos, në Galicia dhe Valencia.
Në operacionin e parë, policia në Vigo sekuestroi 7.5 tonë kokainë të fshehur në fileto peshku të ngrirë.
Operacioni i dytë, në Valencia, rezultoi në sekuestrimin e 3.4 tonë kokainë të fshehur në fundet e kontejnerëve detarë.
20 persona u arrestuan në këto dy operacione nga fundi i nëntorit deri në fillim të dhjetorit. Shumica ishin shqiptarë, por përfshinin edhe një kolumbian, një dominikan dhe disa spanjollë, duke përfshirë një sipërmarrës vendas që përdorte biznesin e tij të importit të peshkut për të organizuar transportin e drogës.
“Të dy operacionet nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. E vetmja lidhje mes tyre qëndron në faktin se ne besojmë se organizatat që qëndrojnë pas tyre janë me origjinë shqiptare”, ka thënë Duarte.
“Mafia shqiptare ka disa kohë që ka monopolizuar transportin e drogës. Jo vetëm në Evropë, por edhe në Amerikën Latine. Këto organizata janë vendosur në vendin e origjinës (Amerika Latine) dhe kontrollojnë transportin e drogës nga fillimi në fund”, ka shtuar ai.