Ish-diplomati Michael Kovrig, i cili ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2018 në Kinë, ka thënë se ka kaluar gjashtë muaj në izolim dhe se merrej në pyetje për nëntë orë çdo ditë, trajtim të cilin e ka konsideruar si torturë psikologjike. Në intervistën e tij të parë të gjerë që nga lirimi, Kovrig ka thënë gjithashtu se kishte humbur lindjen e vajzës së tij dhe e kishte takuar atë për herë të parë kur ajo ishte dy vjeç e gjysmë.
Michael Kovrigu, ish-diplomat kanadez, ka treguar për momentin kur ishte ndaluar në Pekin në vitin 2018, rrugës për në shtëpi, pas darkës me partneren e tij që ishte shtatzënë. Ai do të qëndronte në mbajtje për gati tre vjet, nën akuzat për spiunazh, para se të lirohej.
Në mbrëmjen e 10 dhjetorit të vitit 2018, Kovrigu ka qenë duke ngrënë darkë në Pekin me partneren e tij, e cila ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë, i pavetëdijshëm se kjo do të ishte hera e fundit që ai do ta shijonte shoqërinë e saj për më shumë se dy vjet e gjysmë.
Duke ecur për në shtëpi, çifti ka hipur në shkallët spirale para ndërtesës së apartamentit të tij.
“Dhe papritmas... i kemi ngjitur shkallët dhe në fund të tyre na prisnin dhjetëra burra të veshur me të zeza, me kamera në dorë, të veshur njësoj, por ... nuk kishin shenja, asnjë distinktiv, asgjë. Ata na kanë rrethuar, duke bërtitur në gjuhën kineze, ‘ai është personi’”, ka thënë Kovrig, në një intervistë për CBC News.
Ai ka thënë se një grua ka ecur drejt tij dhe ka mbajtur në dorë një copë letre, të cilën ai nuk ka pasur shansin ta lexonte.
“Me sa duket, ajo ka pasur një urdhërarrest për mua, të shkruar në gjuhën kineze”, ka thënë ai. “Ata më kapën. Ata ma morën telefonin në mënyrë që të mos arrija të bëja telefonata. Ata m’i mbanin duart”.
Burrat ia kanë tërhequr partneren larg tij. Shqetësimi i tij numër një, ka thënë ai, ka qenë siguria e saj.
Kovrig ka thënë se burrat e kanë shtyrë drejt tri veturave SUV të parkuara afër. Ai është futur në ulësen e pasme, mes dy burrave të veshur me të zeza. Ata ia kanë vendosur një shami në sy dhe e kanë prangosur.
“Shumica prej nesh, fatmirësisht, nuk kanë nevojë ta përjetojnë ndjenjën e prangosjes. Menjëherë jua imponon një identitet tjetër … mendja ime heshti”, ka thënë ai.
Kur ka shikuar poshtë, ai mund ta shihte vetëm orën e tij. Për 45 minuta ai i ka numëruar kthesat – djathtas, prapë djathtas – dhe ka kalkuluar se ishte nisur drejt Pekinit jugor.
Vetura në fund është ngadalësuar, ku ai e ka dëgjuar zhurmën e zhavorrit nën gomat e veturës, një portë duke u hapur dhe qentë duke lehur. Disa minuta më vonë, ai është nxjerrë nga vetura, është futur në një parking nëntokësor, pastaj në ashensor, e në fund në një zyrë.
Ata e kanë ulur atë në një karrige të fortë dhe ia kanë hequr shaminë nga sytë. Kur sytë e tij janë mësuar me dritën, ai ka parë një burrë kinez të moshuar të ulur në anën tjetër, me syze të trasha.
“Përpiqesha ta kontrolloja veten dhe të mos më kapte ankthi... Vendosa shumë shpejt se nuk mund të përfitoja asgjë nëse bërtisja, klithja ose diçka e tillë... prandaj i pyeta çfarë është duke ndodhur”, ka thënë Kovrigu.
Atij i është thënë se është nën dyshimet se po e rrezikon sigurinë e shtetit të Kinës dhe se do të merrej në pyetje.
“M’u çuan rrëqethet”, ka thënë ai. “Nuk ishte moment i mirë”.
“Marrja e pamëshirshme në pyetje”
Kovrigu është dërguar poshtë korridorit në një qeli të blinduar. Ka pasur një krevat marinari në qoshe. Dy roja me rroba civile e kanë mbyllur derën e trashë me bravë magnetike.
“Ajo dhomë ka qenë universi im për gati gjashtë muaj. Ajo dhomë dhe dhoma në anën tjetër të korridorit, e cila ishte dhoma e marrjes në pyetje”, ka thënë ai.
Dritaret e qelisë së tij ishin të mbyllura dhe dritat fluoreshente kanë qëndruar të ndezura 24 orë në ditë.
“Ishte psikologjikisht, absolutisht, gjëja më rraskapitëse, më e dhimbshme që kam kaluar ndonjëherë”, ka thënë ai. “Ishte kombinim i izolimit total dhe marrjes së pamëshirshme në pyetje për gjashtë deri në nëntë orë çdo ditë”.
“Ata përpiqen të të ngacmojnë, të torturojnë, të terrorizojnë dhe të detyrojnë ... që ta pranoni versionin e tyre të rremë të realitetit, në të cilin ju jeni fajtori”, ka shtuar Kovrigu. “Dhe mënyra e vetme për ta shpëtuar veten është të gjunjëzohesh, ta vendosësh veten nën mëshirën e tyre, të lutesh të të falin, të kërkosh falje dhe të rrëfehesh”.
Sipas tij, standardi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është jo më shumë se 15 ditë në izolim. Mbajtja më e gjatë në izolim konsiderohet torturë psikologjike. Ai ishte atje për gati gjashtë muaj.
“Tortura”, ka thënë ai, “ishte psikologjike, jo fizike”.

Më 14 dhjetor, katër ditë pas ndalimit të tij, Kovrigu ka pasur vizitën e tij të parë konsullore, ku ambasadori i Kanadasë, John McCallum, dhe një zyrtar tjetër nga ambasada e vizituan.
Kovrigu ka thënë se i kujtohej teksa përpiqej, në atë takim dhe të tjerët pas tij, për të treguar se Kina ishte duke e shkelur të drejtën ndërkombëtare duke e marrë në pyetje në atë mënyrë.
Kovrigu ka thënë se në muajt e parë ai ka ndier ankth, pikëllim, poshtërim, turp dhe faj për telashet që mund t’ia shkaktonte ndalimi i familjes së tij.
Ai ka thënë se vaktet e ushqimit i janë ndalur kur ai nuk bashkëpunonte, se gjatë marrjes në pyetje është vendosur në një karrige të drurit, është lidhur, i është ndaluar të ulej këmbëkryq ose ta ndërronte pozitën e tij.
“E kuptova se duhet të bëhesha kokëfortë disi dhe ta rimerrja kontrollin e mendjes sime dhe të kohës sime”, ka thënë ai. “Prandaj fillova të ndiqja një grup praktikash dhe në fund krijova një orar për veten, për të pasur një ndjenjë të kohës”.
Kovrigu ka thënë se do ta niste ditën me joga, të ndjekur nga meditimi që do ta bënte teksa ecte, i ulur ose i shtrirë.
“Nuk më linin të qetë pasi kalonte gjysma e orës, kështu që diçka po ndodhte. Duhej të ndaloja”, ka thënë ai.
Mësimi i gjuhës kineze në burg
Kovrigu ka thënë se teksa muajt kanë kaluar, ai ka vendosur se kriza e tij ishte gjithashtu krizë e Kanadasë, sepse politika e jashtme e Kanadasë ishte joaktive përkohësisht për shkak të ndalimit të tij.
“Vendosa se duhet të bëhesha i ndaluari më i mirë që mund të bëhesha. Duhet t’u demonstroja se nuk do të ma thyenin shpirtin, që nuk janë duke më thyer mua”, ka thënë ai.
Në maj të vitit 2019, Kovrigu dhe Michael Spavori, një tjetër kanadez që gjithashtu ishte ndaluar por që është mbajtur në një tjetër qeli, janë arrestuar formalisht.
Kovrigu është zhvendosur nga qelia e tij dhe është dërguar në një objekt paraburgimi.
“Gjithçka po bëhej keq e më keq”, ka thënë ai. “Nëse do të shkoja drejtpërdrejt në qendrën e paraburgimit, do të dukej e tmerrshme. Por pas izolimit, ishte një përmirësim i madh”.
Kovrigu i ka kaluar dy vjetët e ardhshëm në atë objekt. Kësaj radhe ai kishte të burgosur të tjerë në qeli, dritë të diellit që futej nga dritarja dhe vend për të lëvizur rrotull.
Për të mbijetuar, sipas tij, ai ka vendosur ta ndryshonte rrjedhën e gjërave duke studiuar nga një fjalor kinezisht/anglisht dhe duke lexuar libra të gjuhës kineze, çdo orë të ditës, mes marrjeve në pyetje, për ta përmirësuar njohurinë e gjuhës.
“Qeveria kanadeze nuk ka qenë e përgatitur”
Më 25 shtator 2021, Kovrigu dhe Spavori kanë arritur në Calgary në një mëngjes të së shtunës, me një aeroplan të Forcave Ajrore kanadeze.
Të quajtur “Michaels”, ata ishin në qendër të sherrit të ashpër midis Pekinit dhe Ottawas që vazhdon t’i përkeqësojë marrëdhëniet diplomatike mes vendeve edhe sot e kësaj dite.
Dy burrat janë burgosur ilegalisht nga Kina, hakmarrje e dukshme për arrestimin e shefes financiare të Huaweit, Meng Wanzhou në Vancouver. Meng ishte arrestuar me urdhër të SHBA-së, për t’u përballur me akuzat për mashtrim në lidhje me sanksionet amerikane kundër Iranit.
Dy burrat janë larguar nga hapësira ajrore kineze disa orë pasi rasti ndaj saj është hedhur poshtë.
Kovrigu ka thënë se Kanadaja duhet të jetë më e përgatitur dhe të ketë një strategji nëse do të arrestojë ose të bëjë ndonjë lëvizje tjetër, e cila do ta zemëronte një vend si Kina.
“Për një numër të arsyeve, qeveria kanadeze nuk ka qenë e përgatitur. Qeveria amerikane nuk ka qenë e përgatitur për rezultatet e padëshiruara që ka marrë nga arrestimi i Meng Wanzhout dhe iu desh një kohë për ta kuptuar se çfarë duhet të bëjnë”, ka thënë ai.

“Mendoj se në fund e kanë gjetur rrugën e duhur. Ata kanë vendosur shumë njerëz të kualifikuar e kompetentë për t’u marrë me këtë punë, prandaj nuk u vë faj përpjekjeve”, ka shtuar ai. “Por në disa mënyra, mendoj se qasjet e ndryshme dhe kuptimi më i shpejtë i problemeve do të çonte në zgjidhje më të shpejtë”.
Partnerja e Kovrigut i ka lëshuar vajzës së tyre incizime të zërit të tij dhe i ka treguar fotografi të babit, teksa ishte i burgosur në anën tjetër të botës. Vajza e tyre ka qenë dy vjet e gjysmë kur ai është rikthyer në Kanada.
“Prandaj ajo e ka ditur menjëherë që jam babai”, ka thënë ai. “Dhe brenda disa orëve, ne ishim së bashku duke luajtur”.
Ditën pas lirimit të tij, ata të tre kanë shkuar për të ecur në park me qenin e tyre. Ai e kujton ditën si të mbushur me rreze dielli, me pemë të gjelbra dhe me lule shumëngjyrëshe.
“Nuk do ta harroj kurrë atë ndjenjë mrekullie, të gjërave të reja dhe të mrekullueshme përsëri, duke e shtyrë vajzën në një luhatëse dhe me atë që thërriste: ‘Mama, jam shumë e lumtur’”, ka thënë Kovrigu. (Marrë nga CBC News)