Botë

10 vjet nga misteri më i madh në historinë e aviacionit

Dhjetë vjet më parë, fluturimi MH370 me Boeing 777 i “Malaysia Airlines” u zhduk pa lënë gjurmë. Ende mbetet një nga misteret më të mëdha të aviacionit.

Hetuesit ende nuk e dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur me aeroplanin dhe 239 pasagjerët e tij. Por qeveria malajziane ka thënë se mund të rifillojë kërkimin për fluturimin MH370 me sugjerimin e një kompanie amerikane të robotikës detare që u përpoq të gjente aeroplanin në vitin 2018.

Kërkimi masiv në jug të Oqeanit Indian nuk dha asnjë rezultat. Përveç disa copëzave më të vogla, nuk u gjetën trupa apo rrënoja.

Boeing 777 u zhduk nga radari i kontrollit të trafikut ajror 39 minuta pasi u ngrit nga Kuala Lumpuri për në Pekin më 8 mars 2014.

“Natën e mirë, malajzian tre shtatë zero”, ishin fjalët e fundit të pilotit para se të largohej nga hapësira ajrore e Malajzisë. Por ai nuk raportoi te kontrollorët e trafikut ajror në qytetin Ho Chi Minh kur aeroplani hyri në hapësirën ajrore të Vietnamit.

Pak minuta më vonë, transponderi i aeroplanit, sistemi i komunikimit që transmeton vendndodhjen e aeroplanit tek kontrolli i trafikut ajror, u fik. Për herë të fundit, aeroplani u pa nga radari ushtarak. Po fluturonte mbi detin Andaman përpara se të zhdukej dhe të dhënat satelitore treguan se ai vazhdoi të fluturonte për orë të tëra, ndoshta derisa i mbaroi karburanti. Aeroplani besohet të jetë rrëzuar në një pjesë të largët të Oqeanit Indian jugor.

Teoritë konspirative për atë që ndodhi janë të shumta. Flitet për rrëmbim, mungesë oksigjeni në kabinë, ndërprerje të energjisë elektrike... por s’pati thirrje për ndihmë, asnjë kërkesë për dëmshpërblim, moti ishte i mirë dhe nuk u vërtetuan defektet teknike. Megjithatë, hetuesit malajzianë nuk përjashtuan “ndërhyrje të paligjshme” në raportin e tyre të vitit 2018. Qeveria e Malajzisë ka thënë se dikush me qëllim ndërpreu komunikimin me tokën dhe devijoi aeroplanin.

Midis pasagjerëve ishin dy të rinj iranianë me pasaporta të vjedhura, një grup kaligrafësh kinezë që ktheheshin nga një ekspozitë, 20 punonjës të një kompanie teknologjike amerikane, një dubler i aktorit Jet Li, familje me fëmijë dhe një çift malajzianë që po shkonin në muaj mjalti.

Image

Dhjetëra anije dhe aeroplanë nga vende të ndryshme kontrolluan midis Malajzisë dhe Vietnamit në Detin e Kinës Jugore, më pas u zhvendosën në Detin Andaman dhe Oqeanin Indian.

Australia, së bashku me Malajzinë dhe Kinën, udhëhoqën më pas kërkimin më të madh dhe më të shtrenjtë nënujor ndonjëherë. Rreth 120 mijë kilometra katrorë të detit jashtë Australisë Perëndimore u mbuluan në këtë operacion bashkëpunues mes tri shteteve. U përdorën aeroplanë, anije të pajisura për të kapur sinjale e nëndetëse robotike.

Kërkimet zbuluan sinjale tejzanore që mund të kishin ardhur nga kutia e zezë e aeroplanit dhe rrënoja të anijeve që mund të ishin të shekullit të 19-të, por nuk e gjetën kurrë aeroplanin. Në korrik të vitit 2015, në ishullin francez të Reunionit u gjet një copë, që më vonë u konfirmua se ishte nga fluturimi MH370. Ishte prova e parë e fortë që MH370 përfundoi fluturimin në Oqeanin Indian. Më vonë, disa copa të tjera u gjetën në bregun lindor të Afrikës. Kërkimi u pezullua në janar të vitit 2017.

Kompania amerikane e robotikës detare, “Ocean Infinity”, nisi një tjetër kërkim në janar të vitit 2018. U fokusua në një zonë në veri të asaj që u kontrollua më parë. Por disa muaj më vonë, kërkimi përfundoi pa sukses.

Një nga arsyet pse një kërkim kaq i madh nuk jep rezultate është se askush nuk e di saktësisht se ku të shikojë. Oqeani Indian është i treti më i madhi në botë dhe kërkimi u krye në një zonë të vështirë, me kushte të këqija moti dhe thellësi mesatare prej rreth 4 kilometrash.

Nuk është e zakonshme që aeroplanët të zhduken në thellësi të detit, por kur ndodhin, mbetjet janë shumë të vështira për t'u gjetur. Gjatë 50 vjetëve të fundit, dhjetëra aeroplanë janë zhdukur, raporton Rrjeti i Sigurisë së Aviacionit.

Qeveria e Malajzisë ka thënë se do të vazhdojë kërkimin vetëm nëse ka prova të reja të besueshme. Tani po shqyrtohet propozimi për kërkim me teknologji të re, por nuk është plotësisht e qartë nëse ka ndonjë provë të re për vendndodhjen e aeroplanit.

Shumë familje që humbën anëtarët në këtë tragjedi janë ende në kërkim të përgjigjeve. Ata pretendojnë se misteri duhet të zgjidhet, jo vetëm për arsye personale, por edhe për të parandaluar fatkeqësi të ngjashme në të ardhmen.

Ky aksident ndihmoi në forcimin e sigurisë së aviacionit. Nga viti 2025, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil ka vendosur që aeroplanët duhet të kenë pajisje që do të transmetojë pozicionin e tyre çdo minutë për të ditur vendndodhjen në rast të ndonjë fatkeqësie. Këto pajisje aktivizohen automatikisht dhe nuk mund të fiken manualisht. Por ky rregull vlen vetëm për aeroplanët e rinj, jo për mijëra të vjetër që vazhdojnë të kryejnë fluturime.