Një kanadez është dënuar me 10 vjet burgim për zhvatjen e dhjetëra milionë dollarëve nga më shumë se një milion amerikanë, nëpërmjet mashtrimit.
Gjatë dy dekadave, Patrice Runner, 57 vjeç, grumbulloi shumë para duke u premtuar pasuri dhe lumturi atyre që i kishte bërë cak, nëse ata i dërgonin para me postë, raporton "BBC".
Nga ky veprim, Runner mblodhi më shumë se 175 milionë dollarë, nga 1.3 milionë viktima amerikane.
Një juri e shpalli Runnerin fajtor në qershor për disa akuza që lidhen me skemën.
"Stili ekstravagant i jetesës së Patrice Runner, i mbështetur në kurrizin e miliona amerikanëve të moshuar dhe të cenueshëm, ka marrë fund”, ka thënë Chris Nielsen, një inspektor postar i SHBA-së në Filadelfia. Ai e quajti burgimin me 10 vjet një “dënim të duhur”.
Sipas autoriteteve, personi me shtetësi të dyfishtë, kanadeze dhe franceze, udhëhoqi mashtrimin gjatë gjithë funksionimit të tij 20-vjeçar.
Sipas skemës së mashtrimit, miliona njerëz morën letra nga Runner dhe bashkëpunëtorët e tij duke pretenduar rrejshëm se ishin korrespondentë personal të dërguar nga të ashtuquajturit "telepatikë" të njohur si Maria Duval dhe Patrick Guerin.
Letrat, thonë prokurorët, i premtonin marrësit se mund të arrinin të kishin një jetë me prosperitet të madh me ndihmën e tyre.
Pasi një viktimë të bënte një pagesë të vetme, ata do të "bombardoheshin" me kërkesa dhe letra shtesë, sipas prokurorëve.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka thënë se Runner përdori një numër kompanish të regjistruara në Kanada dhe Hong Kong për të fshehur përfshirjen e tij ndërsa jetonte jashtë vendit, në një sërë vendesh si: Francën, Kosta Rikën, Spanjën dhe Holandën.
Runner ka mohuar se ka shkelur ligjin, duke thënë në një intervistë të vitit 2023 me Walrus Magazine se "ndoshta nuk është morale, ndoshta është marrëzi... Por kjo nuk do të thotë se është mashtrim".