Dhjetë persona kanë humbur jetën pas përplasjes së dy helikopterëve ushtarakë të Malajzisë gjatë një seance stërvitore të martën, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Helikopterët po bënin prova në një bazë detare në shtetin verior Perak për 90-vjetorin e marinës kur ndodhi aksidenti, kanë njoftuar autoritetet malajziane.
“Të gjithë u konfirmuan të vdekur në vend”, thuhej në deklaratën e marinës, duke shtuar se trupat janë dërguar në spital për t’u identifikuar.
Shtatë anëtarë të ekuipazhit ishin në bordin e helikopterit për operacione detare, AW139. Tre anëtarë të tjerë të ekuipazhit ishin në një helikopter të lehtë Fennec, të prodhuar nga konglomerati evropian shumëkombësh i mbrojtjes, Airbus.
Mediat lokale kanë raportuar se AW139 u rrëzua në një kompleks sportiv në bazën detare, ndërsa Fennec pranë një pishine.
Marina ka paralajmëruar se do të nisë hetimet për të përcaktuar shkaktarin e aksidentit.