Autoritetet gjermane kanë zhvilluar bastisje në shkallë të gjerë kundër një bande ndërkombëtare e cila merrej me kontrabandimin e qenieve njerëzore.
Më shumë se një mijë oficerë policie morën pjesë në operacionin gjatë të cilit u bastisën dhjetëra shtëpi, dyqane dhe zyra në të gjithë Gjermaninë perëndimore dhe jugore dhe arrestuan 10 të dyshuar, duke përfshirë dy avokatë.
Gjithsej 38 anëtarë të dyshuar të bandës, si dhe 147 persona të tjerë që dyshohet se kanë paguar për t’u kontrabanduar prej saj, janë duke u hetuar, raporton agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Dy avokatët, 42 dhe 46 vjeç janë të dyshuarit kryesorë. Identiteti i të dyshuarve nuk është bërë publik, në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë, raporton “Associated Press”.
Të dyshuarit akuzohen se kanë marrë leje qëndrimi për rreth 350 shtetas kryesisht kinezë, të cilët nuk plotësojnë kriteret e nevojshme të imigracionit, në këmbim të qindra mijëra eurove.
Nëpërmjet firmave të tyre ligjore, dy të dyshuarit kryesorë thuhet se kanë rekrutuar shtetas të huaj të pasur për kontrabandë, kryesisht nga Kina, por edhe nga vendet arabe. Policia ka bërë të ditur se klientët i paguanin firmat ligjore nga 30 mijë deri në 350 mijë euro për ndihmë të paligjshme me vizat.
Avokatët e dyshuar dhe ndihmësit e tyre dyshohet se i përdorën paratë për të krijuar kompani false, për të financuar rezidenca të supozuara dhe për të falsifikuar pagesat e supozuara të pagave.
Lejet e rreme të qëndrimit janë marrë nga zyrat e imigracionit në qytetet perëndimore të Kerpen-it dhe Solingen-it, si dhe në qarqet Rhine-Erft dhe Dueren.
Bastisje u kryen në shtetet North Rhine-Westphalia, Schleswig-Holstein, Hesse, Rheinland-Pfalz, Baden-Wuerttemberg dhe Bavaria, Hamburg dhe Berlin ku policia sekuestroi asete dhe mblodhi prova.
“Deri më tani janë siguruar prova të shumta, duke përfshirë rreth 210 mijë euro para të gatshme”, kanë thënë autoritetet.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser ka falënderuar policinë dhe prokurorët për “suksesin e madh kundër bandës ndërkombëtare të kontrabandimit të organizuar të emigrantëve”.
“Në luftën kundër bandave të kontrabandës, ne kemi nevojë pikërisht për këtë nivel të lartë presioni hetimor dhe për këtë goditje të vazhdueshme”, ka shtuar ministrja.
Hetimi u fokusua në North Rhine-Westphalia, ku u arrestuan 10 të dyshuarit.