“Gjykatat hala po me ndjekin, letra prej shtetit… e hekrin e mbaj me veti po nuk e shkrepi”.
Kjo nuk është hera e parë, kur reperi Ardian Xhaferi, i njohur ndryshe si “The Mike”, proklamon në këngët e tij armët, drogën dhe jetën kriminale që thotë se e bën.
Xhaferi, përgjatë viteve, këtë e ka shprehur përmes teksteve të këngëve e paraqitjeve televizive.
Madje, në vitin 2020, në një emision, krenohej publikisht që i ka krejt llojet e mundshme të veprave penale që ekzistojnë në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Po t’u ja nis prej fajdesë, prej drogës, prej vjedhjes, armëmbajtje pa leje. Krejt llojet e mundshme që ekzistojnë në Kodin Penal të Kosovës”, ishte shprehur reperi.
Këto tekste e këto paraqitje, shpesh herë mbulohen me pretekstin se krejt ajo çfarë bëjnë është “art” dhe jo gjithmonë janë realitet.
Por, “arti” i tyre del të jetë edhe mënyra e tyre e jetesës.
Kështu ka ndodhur edhe me reperin “The Mike”, i cili nga viti 2000 deri në vitin 2023, ka rënë ndesh me ligjin, jo më pak se 20 herë.
The Mike tani ka 38 vjet, ndërsa mbi supe ka një histori prej 20 aktakuzave, për 8 lloje të veprave penale, prej të cilave gjykatat e kanë dënuar me 3 mijë e 300 euro gjobë, 2 vjet e 20 muaj burgim efektiv dhe 2 vjet e 9 muaj burgim me kusht. Ndaj tij, ende ka një rast në proces për të cilin pret epilog.
“Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar veprimtarinë e tij kriminale, në të cilën ka identifikuar shkelje të vazhdueshme të prokurorisë dhe gjyqësorit, të cilat edhe pse para vetes kanë pasur një recidivist, në shumicën e rasteve, “The Mike” si i tillë nuk ka figuruar dhe si i tillë as nuk është dënuar.
Problemet me ligjin, Xhaferi do i fillonte në vitin 2000, ku si 15-vjeçar bashkë me një person tjetër kishin kryer vjedhje të rëndë. Për këtë, atij i ishte shqiptuar masa edukuese e mbikëqyrjes së shtuar nga ana e prindërve.
Gjykata, si rrethanë lehtësuese kishte marrë faktin se si i ri, ishte hera e parë që po binte ndesh me ligjin dhe se ishte penduar.
Xhaferi thotë se nuk i kujtohet se cilat ishin motivet që kishte kryer ketë vepër penale në atë moshë.
“Tash është kohë e gjatë vepra e 2001, saktësisht nuk po e di as cila është”, ka thënë ai.
Pendim i Xhaferit para gjykatës si i mitur nuk do mbahej gjatë, pasi ai do përfshihej prapë në vepra të ndryshme penale. Sipas reperit, problemet e tij fillojnë bashkë me muzikën.
“Po në bazë të muzikës edhe kanë kriju edhe kanë lindë problemet. Unë muzikën e kam pas ton jetën pasion edhe e kom bo. Në bazë të muzikës edhe janë kriju probleme, sikur kam pas probleme me Doubel G. Veç në atë rast i kam pas 3-4 vepra penale që i kam kriju veç probleme me Doubel G,”, është shprehur reperi.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Arti “Kriminal”, i cili transmetohet në KTV, TVArta dhe Betimi për Drejtësi.
“Repi”, mes artit dhe ndikimit negativ në shoqëri
Reperi Ardian Xhaferi, i njohur ndryshe si “The Mike”, në këngën e tij të fundit bashkë me reperin “Fero”, siç thonë në tekst e videoklip, kanë arsenal armesh e narkotikë. Por, sipas tij, e gjitha është në kuadër të artit që ai bën.
“Sigurisht, krejt hip-hopi edhe repi është pjesë e artit, është një sen që po frekuentohet mas shumti”, ka thënë “The mike”
Por, teksteshkruesi dhe psikologu klinik, Kreshnik Avdiu, thotë se edhe arti ka limitet e veta.
“Arti i ka limitet e veta, kjo nxitja për dhunë apo seksizimi apo nxitja për konsumim të materive të dëmshme, shkatërruese, vrasëses nuk kanë lidhje me art. Kjo është veç një problem që fatkeqësisht është t’u ndodhë te na edhe fatkeqësisht quhet kulturë”, ka thënë Avdiu.
Por, krejt ndryshe për këtë mendon reperi Xhaferi.
“Shiko, Hip-Hopi edhe repi është kulturë pak me e vrazhdë, që këtu në Kosovë ja ka nis tash me u kuptu. Nuk është që duhet me pas armë ose me tregu substanca për me kanë ti reper”. Sidomos, tash spotin e fundit që e kam bo me Feron “Arsenal”, aty janë kanë krejt të improvizume për shkak të spotit”, shprehet ndryshe reperi “The Mike”.
Sociologu Jeton Brajshori thotë se këngët rep po ndikojnë tek të rinjtë.
“Po tekstet e repereve po ndikojnë në rini, këta persona të cilët po ndikohen krijojnë personalitetin në adoleshencë, atëherë definitivisht që do të ketë probleme në të ardhmen”, ka thënë ai.
Sipas Avdiut, edhe muzika rep, duhet të përcjellë mesazhe për të mirën e shoqërisë.
“Repi është me shfaq, me kallëzu mllefin ton, me kallëzu pakënaqësinë tënde, thjesht me qenë pjesë e një ndryshimi të mundshëm për të mirën e shoqërisë”, shton Avdiu.
Gjykata ia përmendi vetëm 3 herë të kaluarën kriminale reperit “The Mike”, si e arsyeton ai armëmbajtjen pa leje
Dënimet e gjykatës, duket se nuk e kanë arritur asnjëherë qëllimin, pasi reperi Ardian Xhaferi njohur si “The Mike”, në vazhdimësi ka përsëritur veprat penale.
Ndonëse recidivist i veprave penale, atij shtatë herë iu dha vetëm urdhër ndëshkimor me kërkesë të prokurorisë. Katër herë u dënua me kusht, katër herë me burg efektiv dhe tri herë iu shqiptua dënim me gjobë.
Ndërsa e kaluara kriminale, si rrethanë rënduese Xhaferit iu përmend vetëm në tri raste.
Më 12 gusht 2007, për shkak të një përleshje në grup, Ardian Xhaferi bashkë me një të akuzuar tjetër kishin kanosur një person, duke i shkuar në shtëpi dhe kanosur edhe anëtarët e tjerë të familjes. Ndërsa dy të tjerë në këtë rast po akuzoheshin për “lëndim të lehtë trupor”.
Prokuroria kishte propozuar që Ardian Xhaferit dhe tre të akuzuarve tjerë, t’i shqiptohej urdhri ndëshkimor dhe të njëjtit të dënohen me gjobë.
Aktgjykimi për këtë rast ishte marrë më 8 gusht 2008, duke iu shqiptuar të akuzuarve urdhër ndëshkimor, dënim me gjobë me nga 150 euro. Gjykata në lartësinë e dënimit, kishte thënë se të akuzuarit nuk kanë rënë më parë ndesh me ligjin. Por, Xhaferit në 2001 i ishte shqiptuar masa edukuese e mbikëqyrjes së shtuar nga ana e prindërve, gjë të cilën gjykata nuk e kishte përmendur.
Për veprën penale të kanosjes ai do akuzohej edhe dy herë të tjera në 2010. Në të dyja rastet, me kërkesë të prokurorisë, gjykata i kishte shqiptuar Xhaferit vetëm urdhër ndëshkimor, ndonëse vepra penale po përsëritej për të tretën herë. Ai ishte dënuar me 150 euro gjobë dhe 350 euro gjobë.
Lideri i grupit E7, “The Mike”, për armëmbajtje pa leje është dënuar 4 herë. Në gusht 2007, ai bashkë me katër persona tjerë, ishin përfshirë në një përleshje, pas një aksidenti të trafikut. Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për veprën penale të “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”, armëmbajtje pa leje si dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë në tentative”.
Xhaferi thuhet se kishte në posedim një revole “Zastava TT”, të cilën me qëllim të frikësimit ia kishte drejtuar dhe ofruar në gjoks të akuzuarit A.M dhe me qëllim që t’i frikësonte edhe tre të dëmtuar tjerë, kishte shtënë tre herë në ajër, kishte ikur dhe armën nuk e kishte dorëzuar.
Aktgjykimi në këtë rast, ishte marrë në janar 2008. Gjykata e Qarkut në Gjilan, Xhaferin e dënon vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, me 5 muaj burgim, duke i llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim. Ndërsa, e kishte liruar nga pikat tjera të akuzës.
Po atë vit, gjatë një kontrolli nga Policia, Ardian Xhaferit, në veturë i ishte gjetur sërish një armë “Bereta” dhe një fishek. Për këtë, gjykata në 2011, e kishte dënuar me 500 euro gjobë.
Në 2010, me qëllim të frikësimit, një personi ja kishte drejtuar armën. Por me të kuptuar se po vinin policia ai kishte ikur. Për këtë rast ai ishte dënuar në 2016 me 300 euro gjobë, për çka kishte pranuar fajësinë dhe ishte shprehur i penduar. Kjo ishte marrë si rrethanë lehtësuese për të por jo edhe ndonjë rrethanë rënduese.
Pra, përkundër se ishte hera e tretë që po zihej me armë, Xhaferit nuk po i rëndohej masa ndëshkuese, por po i lehtësohej.
Nga 500 euro gjobë në herën e dytë, në herën e tretë vlera ju ul për 200 euro. Kësisoj, “The Mike” kishte vazhduar me avazin e njëjtë.
Në 2021, ai ishte dënuar më 1 vjet e katër muaj burgim për “tentim vrasje” si dhe armëmbajtje pa leje.
Armëmbajtjet pa leje, “The Mike”, i arsyeton me sigurinë e tij.
“Armëmbajtjen pa leje e kam pas për çështje sigurie teme. Se unë njeri i plagoset, tri here kanë tentu me m’vra,” shprehet ai.
“The Mike”, thotë se i ishte imponuar kryerja e veprave penale pasi e kishin ndjekur problemet
Veprat penale të reperit Ardian Xhaferi, i njohur si “The Mike”, nuk përfundojnë me kaq. Për lëndim të “lehtë trupor”, ai është dënuar plotë 6 herë.
Këtë vepër penale, ai e kishte filluar në 2008, për çka gjykata i kishte shqiptuar vetëm urdhër ndëshkimor me 150 euro gjobë. Gjykata të vetmen rrethanë rënduese kishte gjetur “rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale”.
Reperi thotë se atë e kanë ndjekur problemet, në momentin që ka dalë në rrugë.
“Unë kur jam kanë në qytet kam pas një problem që s’kam pas ku me shkua a po kupton? Tash, çka me bo unë tash kur me ka zane sherri midis qytetit çka me bo, s’kam pas ku me shku, të paktën u dasht me mbrojte veten”, ka thënë Xhaferi
Përveç “problemeve të rrugës”, reperi do të tregohej i dhunshëm edhe në familje.
Ai në 2010 u akuzua se në banesën e tij, pas një grindje verbale që kishte pasur me bashkëshorten, e kishte goditur atë me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.
Por, dhuna që Ardian Xhaferi do i bënte bashkëshortes së tij për prokurorinë dhe gjykatën duket se nuk ishte e rëndësishme. Prokuroria kishte kërkuar t’i shqiptohej vetëm urdhër ndëshkimor, pa pasur nevojë të mbahej ndonjë seancë gjyqësore.
Kurse, gjykata kishte vendosur në dhjetor të 2011-ës, duke e dënuar Xhaferin vetëm më 200 euro gjobë, për “lëndim të lehtë trupor”.
Këtë vepër penale, “The Mike”, do e përsëriste serish në të njëjtin vit. Por, gjykata i shqiptoi urdhër ndëshkimor dhe e dënoi sërish me vetëm 150 euro gjobë.
Në vitin 2010, Xhaferi bashkë me dy persona tjerë do kryenin veprën penale të “lëndimit të lehtë trupor”.
Vendimi për këtë rast merret në 2014. Gjykata e dënon Xhaferin më 5 muaj burgim me kusht, ndërsa dy të tjerët me 6 dhe 7 muaj burgim me kusht. Ishte hera e parë që gjykata si rrethanë rënduese në aktgjykimin e saj, përmendi të kaluarën kriminale të Xhaferit dhe të tjerëve, pa ofruar më shumë detaje.
Në 2011, Xhaferit do i shtohej edhe njëherë vepra penale e lëndimit të lehtë trupor. Për këtë rast ai në 2013 ishte dënuar me 4 muaj burgim me kusht. Gjykata si rrethanë rënduese kishte përmendur vetëm shkallën e përgjegjësisë së veprës penale, por jo edhe të kaluarën e tij kriminale. Këtë fakt nuk e kishte përmendur as prokuroria në aktakuzën e ngritur.
Edhe në 2019, “The Mike”, do dënohej me vetëm 250 euro gjobë për lëndim të lehtë trupor. Ndonëse, gjykata si rrethanë rënduese thotë të ketë marrë parasysh të kaluarën kriminale të reperit.
Narracion: Në 2013, Xhaferi do akuzohej për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprave penale”. Bashkë më Xhaferin po akuzoheshin edhe 16 persona tjerë për vepra penale të vjedhjes së rëndë dhe vepra tjera të ngjashme. Prokuroria, në këtë aktakuzë, kishte ofruar databazën e prokurorisë, ku Xhaferi evidentohej si recidivist.
Xhaferi kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe për këtë rast ishte dënuar me 3 muaj burgim. Në këtë rast si rrethanë rënduese gjykata thotë të ketë marrë faktin se Xhaferi kishte të kaluar kriminale.
Po në këtë vit, Ardian Xhaferi do akuzohej për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vjedhje e rëndë”. Për këtë rast, aktgjykimi është marrë tek në 2019, përmes të cilit atij i shqiptohet dënim me kusht prej dy vjetësh. Rrethanë lehtësuese ishte marrë pranimi i fajësisë në të gjitha fazat e procedurës.
Në vitin 2017, ndaj Xhaferit ishte ngritur aktakuzë për “vjedhje të shërbimeve”, pasi bashkë me një person kishin shmangur pagesën në një kafiteri në vlerë prej 12 eurove. Për këtë, në 2019 me kërkesë të prokurorisë iu ishte shqiptuar gjobë 100 euro.
Tutje, në 2018, ai bashkë me një person tjetër do akuzoheshin për “vjedhje të rëndë pasi kishin hyrë në një shtëpi dhe kishin kryerje vjedhje, si TV, 2 Llaptop, 2 ora dore, çantë, patika, e gjëra tjera. Të dy kishin bërë marrëveshje të pranimit të fajësisë me prokurorin e shtetit.
Në të njëjtin vit, gjykata i kishte dënuar me nga 10 muaj burgim dhe 700 euro gjobë. Por, as këtë herë nuk iu ishte përmendur e kaluara kriminale.
Përveç për rrahje, vjedhje e armëmbajtje pa leje, “The Mike” do të përfshihej edhe në vepra të tjera penale.
Në 2016, atij i’u ngritë aktakuzë për posedim të paautorizuar të narkotikëve, të llojit “marihuanë” në peshën 3.4 gram dhe “heroinë”, 1,8 gram. Xhaferi kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me kusht prej 1 viti dhe 300 euro gjobë. Gjykata nuk kishte gjetur ndonjë rrethanë rënduese pos pasojave të shkaktuara vetes.
Lideri i grupit “E7”, flet për problemet që i kishte me reperin “Duda”
Hera e fundit kur Ardian Xhaferi u dënua ishte në 2021, për një rast të ndodhur më 2012.
Xhaferi po akuzohej bashkë me Burim Osmanin i njohur si “Duda”. Të dy reperët kishin shtënë në drejtim të njeri-tjetrit, por nuk morën lëndime.
Prokuroria, në aktakuzën e ngritur, kishte përmendur faktin se Ardian Xhaferi ishte recidivist dhe në atë kohë ishte i dënuar për 6 vepra penale.
“The Mike”, flet shkurt për këtë histori hasmërie gjatë kohës sa ishte lider i grupit muzikor “E7”, dhe “Dudës”, lider i grupit “Doubel G”, grupe këto që kishin “ndarë” edhe përkrahësit në dy pjesë.
“Ky rast ka lindë prej klubeve të natës, ka përfundu, ka eskalu gjendja derisa për pak jena kane edhe t’u u vra, kom tentu me e vra, ajo punë u kry. E këna bashku qytetin, shyqyr që nuk ka ndodhë ma e madhe, qato që ka ndodhë në e kam kry. Problemet që i kam bo unë i kam kry, qysh i kam pagu, i kam pagu me burg”, ka thënë ai.
“The Mike” dhe “Duda”, do shtrinin dorën e pajtimit, duke i dhënë fund rivalitetit mes tyre në muzikë dhe problemeve jashtë saj. Por procesi gjyqësor në këtë rast do të vazhdonte.
Në 2021, gjykata kishte veçuar procedurën e Xhaferit ndaj Osmanit, pasi ky i fundit nuk ishte arritur të sillej para gjykatës.

Ardian Xhaferi, kishte pranuar fajësinë për këtë rast dhe ishte dënuar me burgim unik prej 1 vjet e katër muaj burgim, për “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Dënim ky, i cili u bë i plotfuqishëm.
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Islam Thaçi, si rrethanë lehtësuese ishte marrë pranimi i fajësisë, ndërsa nuk i është përmendur e kaluara e tij kriminale, ndonëse kjo i ishte përmendur edhe në fjalën përfundimtare të prokurorit.
Ky rast është trajtuar nga prokurori Arben Kadriu, aktualisht Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Në një përgjigje me shkrim, nga zyrtarja për informim e Prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini, thuhet se në aktakuzë janë përshkruar aktgjykimet që Xhaferi ka pasur. Ndërsa edhe në gjykatë është kërkuar që e kaluara e tij kriminale të merret si rrethanë rënduese. Kryeprokurori Kadriu nuk është përgjigjur për t’u intervistuar rreth kësaj teme.
Se pse nuk është marrë si rrethanë renduese e kaluara kriminale e Xhaferit “Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar përgjigje edhe nga gjykatësi Thaçi, por ai ka refuzuar të përgjigjet.
Sabit Shkodra-Zyrtar për Informim dhe Monitorim të Mediave
“Sa i përket rreth rastit në fjalë, ky aktgjykim (PKR.nr.3/2014) i Gjykatës Themelore në Gjilan është bërë i formës së prerë dhe i pandehuri ka vuajtur dënimin në institucionet përkatëse, ndërsa sa i përket kërkesës për intervistë, gjyqtari i çështjes refuzon të jap intervistë-komentoj vendimin i cili ka marr formën e prerë”, ka bërë të situr Sabit Shkodra, Zyrtar për Informim dhe Monitorim të Mediave.
“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar intervistë edhe me të parin e Gjykatës së Gjilanit, Venhar Salihun, por me arsyetimin se ka agjende të ngjeshur ai ka refuzuar të flasë.
A ndihet krenar për veprat që i ka kryer Ardian Xhaferi?
Reperi Ardian Xhaferi, i njohur si “The Mike”, për gjatë viteve ka kryer 20 vepra penale. Por, a është krenar Xhaferi për gjithë këto vepra të kryera?
–Gazetarja: Në një emision televiziv keni thënë që i keni të gjitha veprat penale në Kodin Penal. A krenoheni publikisht për këtë?
Xhaferi: Jo.
Gazetarja: Atëherë pse e potenconi publikisht?
Xhaferi: Po pse me mshefe. Ai, njerëzit po këndojnë ditë të sotit pa i bo hiç…
Gjithë kjo, sipas sociologut Jeton Brajshori, bëhet për të qenë në trend me kolegët.
“Vet reperat nuk e shohin vetën të fortë nëse nuk kanë bo vepra kriminale, pra edhe ata i bëjnë ngacmime njeri tjetrit, se ti nuk ke bo asnjëherë vepër, nuk ke qenë në burg, nuk e din çka është jeta e burgut dhe ketë ata e thonë me krenari për njeri tjetrin. “, ka thënë ai.
Reperi i përsëriti veprat penale, por thotë se gjykatën e respektoi
Ajo që i karakterizon këto procese gjyqësore është se Xhaferi në secilin rast kishte pranuar fajësinë dhe i kishte premtuar gjykatës se nuk do përsërisë më veprat penale. Por, ai i bie kjo që reperi ishte i pasinqertë para gjykatës?
“Jo, ndaj gjykatës edhe i sinqertë, por edhe çdo vendim të gjykatës unë e kam respektu”, thotë ai.
Sipas Xhaferit, ndonëse i ka premtuar gjykatës, atij iu është imponuar ta shkelë këtë premtim.
“Po tash shiko qysh muj me premtu unë një sen ose veprat tjera, nuk kanë ndodhë të qasaj natyre/llojit, ka ndodhë për shembull në qytet rastësisht një rrahje ose një armëmbajtje pa leje ajo u kanë diçka krejt e qastit”, thotë ai.
“S’muj me nejt pa pare, qata jam prapa grillave”, thotë reperi në këngën e tij të fundit.
Me këtë pjesë të këngës, Xhaferi lë të nënkuptohet se nuk mund të qëndrojë pa kryer ndonjë vepër penale.
Ndonëse ai thotë se dënimet ndaj tij e kanë arritur qëllimin.
“Jo qëllimi i duhur është arrite se unë i kam mbajt 6 vjet burg. Po, tash kam dal prej burgu, frik. Vepra jeme e fundit u kanë 2017 nëse nuk gaboj edhe s’kam pas më vepra”, ka vazhduar “The Mike”.
Por reperi “harron”, se me të dalë nga burgu, pasi ka vuajtur dënimin e shqiptuar në shtator 2021, atij i është shtuar edhe një vepër penale.
Më 30 mars 2023, ndaj reperit është ngritur aktakuzë për posedim të 0.22 gram substancë narkotik, që Policia gjatë një bastisje e kishte gjetur në shtëpinë e tij.
Sipas Gjykatës, kjo lëndë është e re, dhe gjyqtari i çështjes do të caktojë seancën fillestare sipas radhës së lëndëve të ardhura në Gjykatë.
Por, Ardian Xhaferi nuk dëshiron të flasë për këtë rast.
“Ketë sen nuk kisha dashtë me e komentu hiç, mbetet të shqyrtohet në gjykatë, kaq kisha për këtë punë, për ketë çështje të veprës është landë hala pa u kry nuk kam kurrfarë komenti për ketë vepër”, ka thënë ai.
Por, çfarë e shtyu reperin të kryej kaq shumë vepra penale?
“Por kultura e hiphopit edhe repit është prej rrugës. Tash kur them prej rrugës, zakonisht prej rrugës ndodhin qeto sene”, ka thënë Xhaferi.